Gaspër Marku! Nuk ka nevojë për asnjë prezantim, jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, por kudo ku jetojnë shqiptarët. Padyshim, ikonë e gazetarisë shkodrane e shqiptare. Sot feston ditëlindjen, edhe pse mosha dhe vitet për të, janë thjesht dhe vetëm numra.
Pasioni për gazetarinë sportive, e ndjek prej dekadash dhe nuk do të ndalet asnjëherë. Madje, ma kalimin e viteve, pasioni i tij rritet. E në emër të këtij pasioni, Gaci, siç e thërrasim të gjithë ne kolegët e tij, ndërtoi edhe median e tij online “VeriuSport”.
Gazetar i palodhur i terrenit, moderator i veçantë i studiove televizive, ndjekës dhe hulumtues i të gjitha eventeve sportive, sidomos atyre kuqeblu, thuasje pa asnjë mungesë “pa arsye” përgjatë viteve të panumërta të aktivitetit.
Sigurisht, Gaspër Markun e njohin të gjithë, nga të gjitha moshat e kategoritë. Por Gaci ka një kontribut të veçantë edhe në mediat lokale të Shkodrës, madje si drejtor. E pa undalur, kontributi i Gaspër Markut është perqendruar tek një media relativisht e re si RTSH Shkodra por me një bazament tradicional si Radio Shkodra. Terren dhe studio, duke trajtuar e ngritur problematika të mprehta.
Të flasësh për Gaspër Markun është e lehtë dhe duhen qindra e qindra faqe A4. Ai është sprovuar në radio, televizion, gazetë, media online, rrjete sociale e çdo media tjetër që njeh historia e gazetarisë. Siç, edhe kontributi për disa vite në bashkinë e Shkodrës si zëdhënës. Sot, ai është kryetar i UGSH- së për Rajonin e Veriut.
Fatmirësisht, Gaspër Marku do të vazhdojë të kontribuojë në gazetarinë sportive, për shumë e shumë vite të tjera. Gjithmonë i palodhur, i kudogjendur, në studio e në terren, aty ku sporti merr jetë e hov, falë edhe Gaspër Markut.
Ka qenë kënaqësi gjithmonë të jesh pjesë e një medias, e një redaksie me Gacin. Rrugët tona janë kryqëzuar shpesh dhe përherë tek Gaspër Marku, pasioni për punën dhe sportin, mbetet në nivele shumë të larta. ShkodraWeb i uron kolegut të nderuar e të veçantë Gaspër Marku jetë të gjatë dhe me prodhimtari gazetareske vazhdimisht në rritje si deri më tani! /Nga Blerti DELIJA/