Sot një nga emrat më të mëdhenj të historisë së futbollit shkodran dhe atij shqiptar Sabah Bizi, feston 76 vjetorin e lindjes së tij. Me kete rast, ne emer te ShkodraWeb dhe gjithe ndjekësve të saj, i urojmë atij edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Një respekt maksimal nga të gjithë për këtë figurë të madhe të futbollit dhe padyshim që të gjithë i urojmë jetëgjatësi sepse është krenari ta kemi mes nesh.
Sabah Bizi ka lindur në Shkoder me 26 janar 1948. Duke patur shtëpinë pranë stadiumit aty, u dashurua shumë shpejt me futbollin. Vitet kalonin dhe së bashku me të dhe dëshira e tij për t’u marrë me këtë sport magjik që pastaj u kthye në pasionin e jetës se tij. Shumë shpejt do te bëhej pjesë e ekipeve zinxhirë të Vllaznisë me trajnerin e mirënjohur Xhelal Juka.
Ka luajtur shumë pak me këtë skuadër sepse u inkuadrua me ekipin e parë të Vllaznisë. Që në vitin 1965 u aktivizua në të gjitha ndeshjet e Kupës së Republikës, madje në fund të këtij aktiviteti Vllaznia u shpall fituese e saj dhe Sabah Bizi la gjurme ne kete sukses te ekipit shkodran.
Që nga ai moment nuk ka munguar më në asnjë moment në fushat e blerta deri në moshën 34 vjeçare kur edhe ka lënë futbollin, pikerisht ne vitin 1982.
Për tre vjet me rradhë nga viti 1965 deri në 1968, ka qenë pjestar i padiskutueshëm i formacionit të parë të “Vllaznisë”, ku për tre vjet me radhë ka qenë edhe fituesi i anketës së “5 sportistëve më të mirë të vitit”. Pa diskutim që në atë periudhë dy nga ekipet që po lulëzonin së bashku me Vllazninë e Tiranën ishin dhe Partizani dhe Dinamo.
Ato merrnin çdo lojtar që për ta ishte i domosdoshëm dhe padiskutim që Sabahi një nga fokuset e tyre në ato vitet. Viti 1968 ishte viti kur ekipi i Parizanit dhe futbolli ynë në tërësinë e tij po përballej me një nga kollosët e futbollit europian e atij botëror, futbollin italian dhe me një prej ekipeve më elitare siç ishte Torino.
Ekipi i Partizanit në prag të kësaj ndeshje merr dhe përforcimet e radhës. Një prej tyre do te ishte edhe Sabah Bizi si dhe Ramazan Rragami nga Shkodra dhe Teodor Vaso nga Skënderbeu.
Këto sapo kishin kryer shërbimin ushtarak në këtë klub. Që nga ky moment Bizi mbeti pastaj tek ekipi i Partizanit për afro tre sezone. Që në vitet 1968-1971 mbeti pjesë e kësaj skuadre duke kryer njëkohësisht dhe shërbimin ushtarak duke fituar me te dy tituj kampion dhe nje Kupe te Republikes.
U rikthye te Vllaznia në vitin 1971 dhe do të luante me të deri në vitin 1982 kur do të mbyllte edhe karrierën sportive. Gjatë këtyre viteve do të shpallej edhe tre herë të tjera kampion pikërisht në sezonet 1971-72, 1973-74 dhe 1977-78.
Njëkohesisht do të fitonte edhe tre Kupa të tjera të Republikës, pikërisht në sezonet 1971-72, 1978-79 dhe 1980-1981.
Gjatë karrierës së tij, Sabah Bizi ka qenë një nga figurat kryesore të Kombëtares shqiptare, teksa të gjithë mbajnë mend përballjen e vitit 1967 me Gjermaninë (0-0) dhe duelin e tij me të madhin Bekembauer, ndonëse ai ishte vetëm 19 vjeç.
Por Bizi ndeshjen më të mirë me Kombëtaren, konsideron atë me ekipin e Polonisë. Një takim i mbyllur në barazim 1-1. Ai nuk harron që asaj kohe në gjithë kolonat që gazeta “Sporti Shqiptar” kishte shkruar për këtë ndeshje, emri i tij ishte në të gjithë kolonat.
Për të ka qënë një ndeshje e madhe. Ka luajtur me shpirt nëpër dhëmbë. Ai nuk e harron se ishte afruar pranë të madhit, trajnerit tonë Loro Boriçi dhe kërkonte me dy duart e vëna mbi ije që të ndërrohej.
Por Boriçi i kërkonte të vazhdonte, i jepte kurajo, e duke i thënë se kishte ende forcë për të dhënë në fushë. Dhe në minutat e fundit ka arritur të shmangë dy lojtarë, të marrë krahun deri në fundore dhe duke pritur të vinte ndonjë fanellë e kuqe, ka parë tek ka ardhur Zhega, e ka krosuar topin dhe Dini gjuajti me kokë dhe topi ra në shtyllë, aty erdhi dhe Çeço që shënoi golin e barazimit. Ky ka qënë një takim i paharruar për Sabah Bizin.
Pas lënies se futbollit, Sabah Bizi do të vazhdonte ishte sërish pranë këtij sporti teksa ka drejtuar fillimisht ekipin e Veleçikut të Koplikut. Me pas ka qenë për pak kohë trajner te Vllaznia, ku ka mbajtur më vonë edhe detyrën e sekretarit të klubit, ndërsa ka arritur të punojë edhe shumë vite si trajner i moshave.
Ky është një profil i shkurtër i të madhit Sabah Bizi që është nderuar edhe me titullin e lartë “Nderi i Kombit” dhe në fakt ai meriton gjithçka sepse mbetet një emblemë e futbollit shkodran dhe atij shqiptar.