Një nga emrat më të mëdhenj e të ndritur të sportit, futbollit por edhe qytetarisë, Mjeshtri i Madh Ramazan Rragami u nda nga jeta si sot dy vjet më parë. Homazhet në nderim të të ndjerit, u zhvilluan në hollin e stadiumit “Loro Boriçi”, aty ku mjeshtri la gjurmë që nuk do të shlyhen asnjëherë.
Homazhe në nderim të Mjeshtrit të Madh u bënë ditën e lamtumirës nga autoritete të futbollit shqiptar, ish- kolegë, miq e të njohur të Rragamit dhe familjes së tij. Kanë qenë mijëra shkodranë por edhe të ardhur nga qytetet e tjera që kanë dashur ti bëjnë nderimet e fundit kësaj legjende.
Presidenti i Republikës Ilir Meta, ka ardhur enkas nga Tirana për të nderuar figurën e njohur të futbollit shqiptar. Edhe ish- kryeministri Sali Berisha, pas takimit që ka patur në Shkodër, ka bërë homazhe për mjeshtrin e paharruar të futbollit dhe të qytetarisë.
Edhe kryebashkiakja e Shkodrës në atë kohë, Voltana Ademi por edhe bashkë lojtarë të yllit Rragami, të kalibrit Sabah Bizi, kanë shprehur vlerësime maksimale për talentin, përkushtin dhe profesionalizmin e të ndjerit.
Si sot dy vjet më parë Shkodra do të ndahej me një tjetër figurë jo të zakonshme, e cila ka shënuar emrin në pavdekësi përmes talentin, punës, përkushtimit e profesionalizmit jo vetëm në fushën e blertë, jo vetëm si trajner e specialist futbolli por edhe si qytetar e familjar model. Pushofsh në paqe Profesori i futbollit dhe i jetës Ramazan Rragami. Do të kujtohesh gjithmonë! /ShkodraWeb/