Tre vjet më parë do të ndahej nga jeta Moikom Zeqo, një nga emrat e njohur të jetës publike shqiptare të 30 viteve të fundit. Përveç pozicioneve institucionele- shtetërore, Zeqo përfaqësonte një figurë shumëplanëshe, duke spikatur në shumë fusha. Ditën kur Moikomi u largua fizikisht nga kjo jetë, ishin të shumta personalitetet që kanë shprehur përshtypjet e tyre për këtë figurë, ndërsa ne kemi veçuar shkrimtarin Zija Vukaj, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Shkodrës. Në një mesazh të publikuar në Facebook tre vjet, Vukaj shkruan:
LAMTUMIRË… MOIKOM!
Nuk na e do shpirti as ta mendojmë, por Moikomi ynë iku në amshim. U largua heshturazi, si për të mos dashur të na prishë qetësinë tonë. Bota jonë kulturore humbi një individ të rrallë, një intelektual me erudicion olimpik dhe një burrë të shkëlqyer; një historian, arkeolog, poet filozof- mbi të gjitha një patriot tepër të rrallë të trojeve tona; autor i mbi 100 librave. Moikomi ishte mendimtar, ishte shok e mik i gjithkujt, ishte një rrap me trung të fortë e degë të shumta që i lulëzuan deri në çastet e fundit të frymës së tij.
Moikom Zeqo ka fituar përjetësinë, por në jetën tonë kulturore dhe miqësore krijoi një boshllëk të madh. Shpirti i pushoftë në paqe dhe emri i tij qoftë i përjetshëm.
Edhe sot, kur kujtojmë 3 vjetorin e shuarjes tokësore të Moikom Zeqos, nuk gjejmë asnjë përshkrim më konçiz dhe të saktë për shkrimtarin, intelektualin dhe eruditin. /ShkodraWeb/