10 vite më parë do të ndahej nga jeta një nga emrat më të ndritshëm të humorit shkodran e shqiptar, i madhi Gjosho Vasia. Të përmendësh emrin e Gjosho Vasisë, është njësoj si të përmendësh atë të një shkolle të madhe humori, që nga zbulimi, zhvillimi dhe shkëlqimi në nivele më të larta. Ishte pikërisht Gjosho Vasia që nxorri në skenën e humorit shqiptar, disa nga emrat më të spikatur, ku padyshim veçohet Zef Deda.
Fatmirësisht, Gjosho Vasia në vitin 2010, mori titullin “Mjeshtër i Madh” nga presidenti Bamir Topi, me motivacionin: “Talentit dhe krijuesit të rrallë të skenës së humorit, që, falë personalitetit dhe karakterit të fuqishëm, jo vetëm diti t’i rezistojë me fisnikëri përpjekjes së egër të diktaturës komuniste, por me humorin e tij u dha gëzim, dritë dhe shpresë njerëzve të thjeshtë dhe bashkëvuajtësve të tij në të gjithë vendin”.
Ata që janë shqiptarë dhe dashamirë të humorit e parodisë, nuk kanë nevojë t’ia prezantojë askush atë. “Parodistët e Vlorës” e kanë konsideruar dhe e konsiderojnë mësuesin e tyre Gjosho Vasinë, të cilin siç e kanë pohuar edhe në Shkodër, janë përpjekur ta imitojnë në karrierën e tyre. E për ti mbyllur këto rreshta në shenjë përkujtimi dhe nderimi për këtë kollos të artit shqiptar, po rikthejmë në vemendje atë që Gjosho Vasia tha kur mori titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti Topi:
“Sa e rëndë qenka me fol seriozisht në këtë vend. Gjashtëdhjetë vjet që kam dhënë në skenë jam munduar që t’i mbush shpirtin me gaz popullit që e kishte barkun bosh. Populli kishte dashur të na jepte gjithçka, shteti nuk dha asgjë për këtë popull. Erdhi koha dhe ne sot kemi një parfum, parfum lirie, parfum demokracie dhe një falenderim të fuqishëm Presidentit të madh, zotit Bamir Topi.”. Pushofsh në paqe mbreti i parodistëve shqiptarë! Ke fituar përjetësinë! /ShkodraWeb/