Si sot 17 vjet më parë do të pushonte së rrahuri zemra e Serafin Fankos. Iku nga kjo botë në moshën 70- vjeçare, por kur kishte mundësi, aftësi dhe fuqi artistike për të vijuar kontributin e ndritur që e shoqëroi gjithë karrierën si aktor por edhe regjisor.
U lind në Shkodër, i biri i Nikolla Fankos dhe Milicës së Serafin Bellkos. Asokohe i ati ishte kapiten i ushtrisë së Mbretërisë Shqiptare me shërbim në Shkodër dhe me pushtimin italian mbajti qëndrim antifashist, arsye për të cilën u vra më 1943 nga vullnetarë mirditorë. Serafini kaloi një fëmijëri tragjike, ndër vitet 1946- 1948 së bashku me të motrën jetuan në jetimore deri kur i mori e gjyshja dhe jetuan me të.
Serafin Fanko studimet e larta i kreu në Akademinë e Arteve në Pragë dhe në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë.
Filmi i tij i parë është “Fije që priten”. Më pas shkëlqeu në vitin 1977, me filmin “Gunat mbi tela” ku luante një nga rolet e mbretërisë së Savojës, për të vijuar me të tjerë role. Vitet e fundit spikati si regjisor në teatrin “Migjeni” por edhe teatrot e tjera brenda e jashtë vendit, duke lënë pas punë me nivel të lartë artistik profesional. Serafin Fanko është cilësuar si Felini i teatrit shqiptar.
FILMAT KU INTERPRETOI SI AKTOR
Emblema e dikurshme (film) – (1976)
Fije që priten – (1976) …. Klarku
Shembja e idhujve – (1977) …. Frat Engjëlli
Gunat mbi tela – (1977) ….
Ditët që sollën pranverën – (1979)
Yjet mbi Drin – (1979) …. Lulzimi
Qortimet e vjeshtës – (1981) …. Profesor Samiu
Vendimi – (1984) …. Filipi
Pranvera s’erdhi vetem – (1988) …. Profesori