Sot mbushen plot 12 vjet pa një kampion. Agim Tafili i madh i çiklizmit shkodran dhe atij shqiptar, ndërroi jetë më 15 janar të vitit 2012 pas një sëmundje të rëndë, duke krijuar një mërzi dhe dhimbje të madhe jo vetëm tek familjarët por edhe tek shokët e miqtë e tij. Iku atëherë kur nuk duhej të ikte. Ndarja nga jeta në moshën 52 vjeçare, padyshim që ua shtonte edhe më shumë keqardhjen të gjithëve sepse kishte shumë për të dhënë.
Megjithatë la pas një emër dhe një karrierë të shkëlqyer sportive. Agim Tafili ka fituar 6 herë Rrethin Çiklistik të Shqipërisë si individ në vitet 1979, 1980, 1981, 1982, 1984 dhe 1985. Ai e ka fituar titullin e lartë “Mjeshtër i merituar i sportit” në moshën 25 vjeç.
U shpall kampion kombëtar për herë të parë në moshën 18-vjeçare dhe si çiklist ka arritur rekordin kombëtar të shpejtësisë me biçikletë deri në 41 200 km në orë!!! Ka fituar shumë tituj kampionë si individë dhe si ekip. bashkë me vëllain e tij Sytkinë, Brahim Syken etj në vitet ’80 dhe ishin krenaria e Shkodrës.
Një qytet i tërë ishte tifozë me ta. Me qindra e mijëra vetë ndiqnin me ankthin më të madh nëpërmjet edicioneve të lajmeve në Radio Tirana etapat e Rretheve Çiklistike dhe krenoheshin kur dëgjonin për triumfet e Agimit me shokë.
Djaloshi energjik nga Berdica, duke pasur përkrah kolegun e tij më të afërt, Brahim Syken, të vëllanë e tij, Sytki Tafili, si dhe Agim Ferracakun, Mehdi Selmanin, Leonard Kolën, Sabaudin Hoxhën, etj, nën drejtimin e trajnerit të njohur Gani Muriqi fillimisht e me pas të Ruzhdi Muriqit, dominuan nw çiklizmin shqiptar tw viteve ’80.
Pas viteve ’90, iku në Greqi, aty ku dhe mbylli sytë për herë të fundit. Ishte i privilegjuar, e respektonin dhe e donin të gjithë, por ai nuk ndjehej asnjëherë mirë. Ai kishte gjithnjë në mendje Shkodrën dhe Vllazninë. Diçka më tepër se një vit para vdekjes, erdhi në qytetin e tij me idenë për të marrë ndoshta drejtimin e ekipit të çiklizmit që po shkonte drejt shkrirjes.
Mendjen e kishte sërish në Shkodër. Pavarësisht emrit të madh që mori si sportist, ai ka dashur të mbesë sërish ai djali i ri 17 vjeçar nga Berdica që me shumë turp mori pjesë në një garë në Tiranë dhe pa shumë bujë i mundi të gjithë.
Ishte i vetmi që asnjëherë nuk kishte dëshirë të dilte nëpër intervista në gazeta a televizione për t’i bërë lavde rezultateve të tij. Ishte i thjeshtë dhe i tillë vdiq. Shkodra dhe Vllaznia ishin gjithçka për të dhe gjithnjë në zemrën e tij.