Nga Albert VATAJ
Ndrek Luca ka lindur në 3 Shtator të vitit 1927 në Dukagjin. Familja e tij shpërngulet në Shkodër qysh kur ai ishte në moshë të vogël. Që në fëmijëri ai ka pasur pasion për aktrimin. Ky pasion do ta shtyjë atë që në vitin 1950 të kërkojë nga organet e kohës të aktivizohet më Teatrin e Ushtrisë pas mbërritjes së tij në atdhe në përfundim të Shkollës e Aviacionit kryer në Jugosllavi . Falë talentit të jashtëzakonshëm dhe përkrahjes së regjisores ruse të këtij teatri Zina Andro, kalon në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) në vitin 1950 si aktor profesionist.
Roli i tij i parë në këtë Teatër do të ishte po atë vit në 11 Nëntor roli i Shpend Gjeto Plakut në dramën “Halili dhe Hajria” të Kolë Jakovës. Më tej do të vazhdonin një galeri e tërë personazhesh, mbi 100, që do ta bënin Ndrek Lucën një nga aktorët më të dashur të publikut shqiptar. Këtu mund të përmendim rolin e Xhirit në dramën “Arturo Ui” të Bertold Brehtit, rolin e Jagos në tragjedinë “Otello” i Shekspirit, rolin e Bacës së Gjetajve në dramën “Baca i Gjetajve” të Fadil Krajës, rolin e Lekës në dramën “Toka jonë” të Kolë Jakovës, rolin e Brung Trolit në dramën “Përmbytja e madhe” e Kolë Jakovës e shumë të tjera. Përveç interpretimit ai ka shkruar edhe pjesë teatrale ku më e njohura është “Shtatë Shaljanët” si dhe “Votra e huaj”, të interpretuara në skenën e Teatrit “Migjeni” si dhe pjesët “Andra në diell”, “Bardha”, “Histori Irkutase” etj. Del në pension në vitin 1987.
Në kinematografi roli i tij i parë do të jetë ai i Tomorrit në filmin “Detyrë e posaçme” në vitin 1963. Më tej do të vazhdonin më se 30 role ndër më të spikaturat këtu mund të përmendim rolin e Dom Palit në filmin “Komisari i Dritës”, rolin e Kapter Rahmiut në filmin “Duel i heshtur” , rolin e Gjinit në filmin “Plagë të vjetra”, rolin e Pjetër Mustaqekuqit në filmin “Operazioni Zjarri”, rolin e Ndrios në filmin televiziv “ Udha e shkronjave” etj.
Të shumta kanë qenë Medaljet dhe Çmimet që ai ka marrë gjatë karrierës së tij. Kështu për rolin e Gani Herrit në filmin e “Rrugicat që kërkonin diell” ai do të vlerësohej me Çmimin e I-rë dhe me Medaljonin e Festivalit në Festivalin e I-rë të Filmit Shqiptar të mbajtur nga data 5 deri në 11 prill të vitit 1976 në Tiranë.
Për rolin e Mark Sokolit në filmin televiziv “Flaka e Maleve” ai do të vlerësohet me Medaljonin e Festivalit në Festivalin e V-të të Filmit Shqiptar të mbajtur nga data 19 deri në datën 23 prill të vitit 1983 në Tiranë.
Për rolin Vuhan Pashait në filmin “Balada e Kurbinit” ai do të vlerësohej me Medaljonin Festivalit në Festivalin e IX-të të Filmit Shqiptar të mbajtur nga data 12 deri në 17 nëntor të vitit 1991 në Tiranë.
I martuar me aktoren Mimika Luca. Ndahet nga jeta dhe nga familja e tij e dashur në 13 Janar të vitit 1993. Për nder të tij Bashkia e Tiranës në vitin 2005 ka titulluar me emrin e tij një nga rrugët e kryeqytetit. Për meritat e tij artistike Ndrek Luca është vlerësuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”.
Kinematografi
1996 — Viktimat e Tivarit (Film TV)
1989 — Balada e Kurbinit….Vuhan Pasha
1986 — Guri i besës….Gjini
1984 — Koha nuk pret (Film TV)…Cen Vrapi
1984 — Lundrimi i parë…Qazimi
1983 — Fundi i një gjakmarrjeje….Shpendi
1982 — Flaka e maleve….Bardh Sokoli,zejtari
1982 — Qortimet e vjeshtës…..Rasim Aga
1981 — Një natë pa dritë….Filipi
1980 — Nusja…Dem Mareci
1979 — Mysafiri…Gjergji
1978 — Nga mesi i errësirës….Meti
1978 — Udha e shkronjave (Film TV)….Ndrio
1976 — Pylli i lirisë…Lam Shllapi
1976 — Thirrja….Vat Marash Bregasi
1976 — Tinguj lufte….Selimi
1975 — Në fillim të verës….Gjeneral Piçioni
1975 — Rrugicat që kërkonin diell (Film TV)….Gani Herri
1974 — Shpërthimi….Hasani
1974 — Shtigje lufte….Ramadan Daci
1973 — Brazdat – Vellai i Ademit
1973 — Operacioni “Zjarri”….Pjetër Mustaqekuqi
1970 — Gjurma…..Kasemi
1969 — Njësiti Guerril…..Çekani,Komandanti i Njësitit Guerril
1969 — Plagë të vjetra….Gjini
1968 — Prita….Komandanti Partizan
1967 — Duel i Heshtur…Kapter Rahmiu
1966 — Oshëtimë në bregdet…..Jonuz Bruga
1966 — Komisari i Dritës….Dom Pali, prifti i fshatit
1963 — Detyrë e posaçme….Tomori
Teatër
“Baca i Gjetajve” e Fadil Krajës…..Baca i Gjetajve
“Makbeth” e Shekspirit
14/12/1980 — “Epoka para gjyqit” e Ekrem Kryeziut
26/05/1977 — “Përmbytja e madhe” e Kolë Jakovës… Brung Troli
07/03/1974 — “Toka jone” e Kolë Jakovës…..Leka
24/01/1973 — “Sinjali i kuq” e Bashkim Kozelit
27/11/1971 — “Trimi i mirë me shokë shumë” e Sulejman Pitarkës (Artist i Popullit)
04/03/1971 — “Arturo Ui” e Bertold Brehtit…..Xhiri
26/05/1968 — “Çatia e të gjithëve” e e Kiço Blushit
07/03/1967 — “Cuca e Maleve” e Kolë Jakovës
27/11/1960 — “Dragoi i Dragobisë” e Xhemal Brojës
13/11/1959 — “Në tufan” e Fadil Paçramit
21/03/1959 — “Në anën tjetër” e Bajramovit
30/03/1958 — “Shtatë shalianët” e Ndrek Lucës
03/11/1957 — “Orët e Kremlinit” e N. Pagodin
01/02/1956 — “Familja e peshkatarit” e Sulejman Pitarkës (Artist i Popullit)….Jonuz Bruga
25/05/1955 — “Përleshja” e Xhemal Brojës
18/09/1953 — “Përmbysja” e Llavranjev
21/03/1953 — “Otello” e Shekspirit……Jago
17/11/1950 — “Heronjtë e heshtur” e Kasem Trebeshinës
11/11/1950 — “Halili dhe Hajria” e Kolë Jakovës……Shpend Gjeto Plaku
Autor
Teatër
“Andra në diell”
“Bardha”
“Histori Irkutase”
“Shtatë shalianët”
“Votra e huaj”
Çmime e Tituj
Artist i Popullit
17 Nëntor 1991
Medaljoni i Festivalit për rolin Vuhan Pashait në filmin “Balada e Kurbinit” në Festivalin e IX-të të Filmit Shqiptar të zhvilluar në Tiranë nga data 12 deri në 17 Nëntor të vitit 1991.
23 Prill 1983
Medaljoni i Festivalit për rolin e Mark Sokolit në filmin televiziv “Flaka e Maleve” në Festivalin e V-të të Filmit Shqiptar të zhvilluar në Tiranë nga data 19 deri në 23 Prill të vitit 1983.
11 Prill 1976
Medaljoni i Festivalit
Çmimi i I-rë për rolin e Gani Herrit në filmin televiziv “Rrugicat që kërkonin diell” në Festivalin e I-rë të Filmit Shqiptar të zhvilluar në Tiranë.
Dukagjinasi që superonte dhe donte origjinën
Nuk ishte malësori i ashpër që ecte me mentalitetin e kohës, por megjithatë Dukagjinin e kishte të ngulitur thellë në mendje dhe zemër. “Ndreka ka lindur në thelb të varfërisë materiale. Ka lindur në Dukagjin, e më pas ka zbritur në Shkodër”, thotë gruaja e tij, Mimika, duke shtuar se Ndreka gjithmonë ka ndier një detyrim shpirtëror ndaj prejardhjes së tij. “Njerëzit e veriut e kanë pasur derën të hapur dhe rrinin me ditë në shtëpinë tonë, aq sa edhe sot djali, Gjergji, thotë se është dukagjinas”.
Miqtë e paktë të Ndrekës
Qëndronte shumë me njerëzit, por miqtë e ngushtë ishin të paktë. Kishte një shok të ngushtë në Shkodër, një punëtor në Tiranë. Me Petro Markon ishte shumë i lidhur, si dhe kompozitorët shkodranë Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi etj. Shumë mik kishte edhe Halim Gjakovën, me të cilin hanin çdo mëngjes bukë misri me djathë”, kujton bashkëshortja e aktorit të madh, Mimika, duke shtuar se Ndreka nuk ishte natyrë që pinte dhe ishte tepër familjar.
Kur Luca interpretonte Makbethin
Pavarësisht nga shkollimi si pilot, ai ishte autodidakt në drejtim të artit. Në bibliotekën e tij i gjen të gjithë veprat filozofike të të gjitha rrymave. “Duke lexuar jashtëzakonisht shumë, ishte ai që ishte. Kur u kthye nga studimet në Jugosllavi kishte vetëm valixhe me libra dhe asnjë gjë tjetër”, kujton duke shtuar se edhe më i madh ishte pasioni i tij për skenën. “Edhe kur ka qenë në reanimacion, pasi ka pësuar infarkt mbante “Makbethin” nën jastëk. Jam tmerruar kur e kam parë. Pas tri ditësh shkoi në Shkodër të luante”.
Vlerësimi i vonuar i shtetit
Shteti vendosi ta nderonte, atëherë kur të gjithë e quanin Artist i Popullit, edhe pse nuk ia kishin dhënë këtë titull. E ndjente këtë vlerësim ngado, te njerëzit që e përshëndesnin rrugës dhe tek ata qindra kartolina që i dërgonin, sidomos shqiptarët e Kosovës. “Vlerësimi shtetëror, megjithatë iu dha, edhe pse me vonesë. Por ka vuajtur shumë për të arritur deri atje. Ishte çdo moment i shqetësuar. Për një natyrë të drejtë, çdo padrejtësi ishte dhimbje. Këtu qe një popull i tërë që i qe bërë një padrejtësi e madhe, e llahtarshme”, thotë Mimika, duke shtuar se Ndreka ishte titanik në forcën e tij.