Nga Kastriot DERVISHI
Bota kujton sot 60-vjetorin e nisjes së ndërtimit të murit të Berlinit, 155 kilometra i gjatë. Ne në Shqipëri kemi pasur një mur edhe më të gjatë, por që për arsye ekonomike nuk ishte me beton, por i thurur me tel me gjemba. Ky quhej klon. Ishte vendosur afër kufirit shtetëror dhe jepte shenjë për cilindo që tentonte të afrohej atje.
Para këtij lloj “muri”, ishin disa “mure” të padukshme që i shërbenin sistemit të parandalimit të arratisjeve. Në të vërtetë shqiptarët kur përmendin murin e Berlinit duhet të kujtojnë klonet e tyre, regjimin që përjetuan, që ishte më kriminali dhe më i pashembullti në Europë.
Kloni ynë është larë me gjak. Edhe shumë prej atyre që mundnin të kalonin kufirin, ktheheshin nga jugosllavët dhe vuanin dhjetëra apo njëzet vite burgim të egër. “Muri” shqiptar, i ngritur në nëntor 1944 dhe i rënë në dhjetor 1990, nuk njohu shembje spektakolare historike.
Shumica e popullit në atë kohë, e indoktrinuar në kulm, donte ta kishte të fortë atë. “Muri” ynë u shemb nga faktorë të jashtëm, së pari ai amerikan, i cili i solli lirinë gjithë vendeve të Lindjes komuniste. /Publikuar në Facebook/