Me 12 korrik 2011, do të ndahej nga jeta në moshën 84 vjeçare, në qytetin e Shkodrës, kleriku dom Simon Jubani, një figurë e njohur e qëndresës antikomuniste dhe vendosmërisë për rifitimin e lirive fetare. Dom Simon Jubani kaloi 26 vite të jetës së tij në burgjet e diktaturës komuniste. Pas daljes nga burgu, në nëntor të vitit 1990 udhëhoqi meshën e parë publike, meshe e cila shënon edhe fillimin e shembjes së rregjimit komunist.
Në këtë përvjetor, kleriku i njohur për antikonformizmin e tij, është kujtuar nga Ilir Demalia, përmes një postimi në rrjetet sociale. Bashkë me këtë përkujtim, Demalia përcjell edhe një mesazh të fortë, lidhur me trajtimin që iu bë por edhe po i bëhet veprës së Dom Simon Jubanit.
PUBLIKIMI I ILIR DEMALIA
Nëntë vjet pa Dom Simon Jubanin
Sot 9 vjet më parë u largua nga kjo jetë, njeriu që nuk bëri kurrë komromis me të keqen. Njeriu që i qëndroj stoik besimit në Zot, për Fe e Atdhe! Njeriut që i’a përlasi kujtdo në sy pa u tundue për “naltësinë” e tij.
Libri i tij “Burgjet e mija” as gjindet në libraritë, as ja shtyp kush, as ja promovon kush. Një libër qe në çdo faqe të ban me t’ra lotët në libër për çka tregon Dom Simon Jubani. Jo na duhet vazhdimsia e Realizmit Socialist, të ngarkuem tash në demo(n)kraci edhe me tituj si njerëz që kanë vuejt e kanë shemb diktaturën duke ju dhanë dhe dekorata ma e naltë “Flamuri Kombëtar”, bash për rrëzimin e komunizmit.
Ndoshta shqiptarët dhe Kisha Katolike në Shkodër e meritojnë sot këtë tallje, pasi pikërisht sipas formulimit zyrtar të Tiranës po i presin këta heronjë me tapet të kuq, jo për t’i çue në dhomën e rrëfimit, por për ti “dekorue” si Tirana zyrtare.
Dom Simon Jubani e ka shënjuar tashmë historinë e këtij vendi. Jo vetëm për periudhën para vitit 1990 por edhe pas këtij viti. Efekti kohë do të bëjë punën e vet edhe për këtë figurë, duke e ngritur në standartin që Dom Simon Jubani e meriton. /ShkodraWeb Media/