Viktor Briza, një nga fantazistët më virtuozë që ka nxjerrë Vllaznia, feston ditëlindjen. I datëlindjes 1962, Briza i rritur te ekipet zinxhire te Vllaznise, në sezonin 1980-81 kalon me të rriturit, sezon në të cilin Vllaznia fiton Kupën e Republikës megjithatë Briza është thjesht pjesë e atij ekipi me emra të shquar në rradhët e tij. Një sezon më vonë ndërkohë do të debutonte si titullar me fanellën e Vllaznisë, pikërisht më 25 tetor 1981 në Shkodër në ndeshjen e kampionatit që kuqeblutë fitojnë 2-0 ndaj Naftëtarit, falë golave të shënuar nga Luçi e Vukatana.
Në sezonin 1982-83 luan vetëm 8 ndeshje me Vllazninë, megjithatë jep kontributin e tij që skuadra kuqeblu të shpallet kampione e Shqipërisë. Një sezon më vonë do të ishte ndryshe sepse tashmë ai fiton vendin e titullarit dhe luan 21 nga 26 ndeshjet e kampionatit.
Tashmë emri i Brizës është prezent kudo. Vllaznia e beson lojën e saj në mesfushë pikërisht tek ky lojtar dhe në sezonin 1984-85 luan 22 ndeshje dhe shënon 3 gola, pikërisht ndaj Flamurtarit, Naftëtarit dhe Traktorit.
Në sezonin 1985- 86 luan 21 ndeshje dhe shënon sërish 3 gola, respektivisht në portat e Tomorit, Skënderbeut dhe 17 Nëntorit. Një sezon më vonë, 26 ndeshje në kampionat, të gjitha si titullar dhe 3 gola të shënuar ndaj 17 Nëntorit, Besës dhe Dinamos. Po në sezonin 1986- 87 do të ishte protagonist edhe në fitoren e Kupës së Republikës për Vllazninë.
Madje në finalen e parë ndaj Flamurtarit, atë të luajtur në stadiumin “Vojo Kushi” më 1 qershor të vitit 1987, është njëri nga autorët e tre golave të Vllaznisë në fitoren 3-0 ndaj vlonjatëve (dy të tjerët u shënuan nga Pashaj dhe Rragami), ndërsa dy javë më vonë pas ndeshjes së fituar 3-1 nga Flamurtari, shkodranët fituan trofeun e Kupës dhe Briza padiskutim që ka edhe ai rolin e tij në këtë sezon.
Ndërkohë, sezoni 1987- 88 do të ishte i fundit për Brizën me fanellën e Vllaznisë ai do të luante si titullar në të 36 ndeshjet e kampionatit dhe duke shënuar 4 gola, respektivisht në portat e Dinamos, Apolonisë (2 herë) dhe Labinotit.
Gjatë viteve që ka qenë pjesë e Vllaznisë, Viktor Briza ka luajtur rregullisht me Kombëtaren e të rinjve të Shqipërisë dhe më pas edhe me Kombëtaren Shpresa ndërkohë që ka luajtur edhe në Kupat e Europës dhe në Kupën Ballkanike.
Edhe 100 Viktor Briza, jetë të gjatë e të lumtur!