Si sot 5 vjet më parë do të ndahej nga jeta Shyqyri Alushi, i cili pas largimit të Bik Ndojës nga kjo jetë, konsiderohej i fundit këngëtar i ahengut shkodra. Shyqyri Alushi lindi në Shkodër me 10 maj 1934. Ai ka qenë këngëtar i shquar i ahengut dhe këngës popullore qytetare shkodrane në gjysmën e dytë të shek. XX. Me titullin “Artist i Merituar” më 1984 dhe “Çmimi i karrierës” më 1997, konsiderohej si këngëtari i fundit i ahengut shkodran.
Prej të atit, Alushit, i cili ishte gjithashtu këngëtar dhe muzikant, spikat në instrumentat, fyell dhe zumare. Si dhe këngëtarët e brezit të tij, dhe jo vetëm, edhe Shyqyri Alushi hedh hapat fillues në artin e këngës duke debutuar në ambjentet muzikore të shtëpive dhe lagjeve të Shkodrës. Inspirim për ëndrrën e tij do të ishin mjeshtrat e ahengut, Shuk Prifti, Sadik Spahija, Marku i Kranjanes, Sait Hoxha, Hasan Prezën etj.
Në moshën 10 vjeçare nisi të këndojë me shokët e lagjes dhe më 1956 këndon këngët e para popullore në koncertin me rastin e inagurimit të kinema “Republikës” në Shkodër. Për një kohë të gjatë këndon si këngëtar nëpër dasma në Shkodër dhe në të gjithë fshatrat e NënShkodrës, në lulishte, lokale të ndryshme si dhe në Shtëpinë e Oficerëve.
Në lulishten “1 Maji”, Shyqyriu shoqërohej nga orkestra popullore e Adil Ujkashit. Në vitin 1974- 1986 këndoi si këngëtar profesionist pranë Estradës së Shkodrës deri sa doli në pension. Ka marrë pjesë në të gjitha festivalet dhe koncertet e organizuara në Shkodër si dhe në të gjitha përfaqësimet e folklorit muzikor shkodran në Festivalet Folklorike Kombëtare dhe në Kosovë. Ka marrë pjesë gjithashtu edhe në shumë turne ndërkombëtare si në Rumani, Portugali, Turqi, Francë, Gjermani, Mali i Zi etj.
Më 1984 i jepet titulli “Artist i Merituar”, në vitin 1996 në festivalin e këngës popullore qytetare i jepet “Çmimi i Karrierës”. Me rastin e 65 vjetorit të lindjes, Bashkia e Shkodrës i jep titullin “Krenaria e Qytetit”. Gjatë gjithë jetës së tij artistike ka marrë edhe shumë çmime dhe dekorata të tjera. Në Shkodër të gjithë i thërrisnin “mjeshtri i ahengut shkodran”.
Ndër këngët e arta të repertorit të tij përmendim: “Thotë lulja për lulen”, “Kur natyra kenka veshur”, “Nëpër fusha në kodrina”, “Pranvera filloi me ardhë”, “T’parën herë kur jena pa”, “Eni more shokë”. Regjistrimet e tij muzikore janë kryesisht pranë Radio-Tiranës dhe Radio-Shkodrës. U nda nga jeta më 18 mars 2019.