Profesor David Lukën e kam njohur e takuar për herë të parë në vitin 1993. Asokohe, profesori ishte edhe drejtor i Radio “Shkodrës” përveç se një emër shumë i njohur i mësimdhënies por edhe si aktivist i lëvizjeve të fillim ’90-ës.
Dëshira ime dhe e tre shokëve e shoqeve për të provuar të dilnim para mikrofonit, na ngjiti në shkallët e Radio “Shkodrës” diku nga fundi i 1993-it. Me një “autorizim” në dotë nga rektori i Universitetit të Shkodrës Gjovalin Kolombi, ne do të përpiqeshim të ndërtonim një emision rinor në këtë media shtetërore.
Ajo që më tërhoqi vëmendjen, që na tërhoqi vëmendjen, ishin fjalët e pakta të Profesorit dhe adresimi direkt tek Merita Ndoka, kryeredaktore e Radio “Shkodra”. E ndërsa ne nisëm e vazhduam bashkëpunimin me këtë media, kontaktet me Profesorin ishin vetëm kur ndërroheshim në korridoret e radios apo kur ai fuste kokën për ndonjë porosi në studiot ku ne organizonim emisionet.
Për shkak të profesionit që ndërmora pikërisht në atë kohë, kontaktet me Profesorin kanë qenë të shpeshta, sidomos në simpoziume e aktivitete të ndryshme. Ajo që kam vënë re kur fliste David Luka, ishte heshtja e vëmendjes që mbulonte sallën.
Kur kam patur mundësi e hapësira të jem vetëm për vetëm me Profesorin, ia kam përsëritur disa herë se “prej dashamirësisë tënde në 1993-in kam filluar këtë rrugë sepse ndryshe do të isha emigrant si shumë shokë të mijë”. Përgjigja e Profesorit ishte gati çdo herë një buzëqeshje, dora në shpatulla dhe më kujtonte edukimin në një degë që nuk kishte të bënte drejtpërdrejtë me gazetarinë…sepse kështu e kam njohur unë David Lukën.
Profesori i kufizoi lëvizjet vitet e fundit. Për shkak të ngarkesës së përditshmërisë së profesionit, informacionin për aktivitetin e pandërprerë por edhe shëndetin, e merrja përmes kolegëve por edhe nga Arturi, djali i tij kur e takoja, për hir të realitetit, jo shumë shpesh.
Jeta ka një fillim, një kulm dhe një fund. Kështu ndodh për çdo individ. Ajo që ka ka vlerë dhe nuk shuhet as me largimin e individit, është kontributi. E Profesori ka lënë shumë, aq shumë sa duhen vite për të nxjerrë në dritë mendimet e këndvështrimet e tij për gjuhën shqipe e më pas, për ti studiuar.
Profesori njihet më së shumti si gjuhëtar, studiues e shkencëtar i kësaj lëmije. Por edhe mediat, kanë gjurmën e tij. Duke nisur nga gazeta “Shkodra”, e dyta në Shqipëri në vitet ’90 pas “RD”; Radio “Shkodra”; bashkëpunimi me Radio Vatikan ku në mes ishte edhe motra e dashur Ana Luka. Kontributi i Profesorit është edhe në formimin profesional të gazetarëve. Deri në çeljen e Degës së Gazetarisë në Shkodër, Dega e Gjuhë- Letërsisë ishte një “furnizues” i preferuar i mediave lokale por edhe i atyre kombëtare për korrespondentët.
E për të arritur në fund të këtyre pak rreshtave të pamjaftueshëm për Profesorin, nuk mund të mos kujtoj edhe kritikat, gjithmonë dashamirëse e në sensin profesional. Ishte ndjekës i mirë i televizioneve lokale, të paktën në periudhën kur kontaktet e mija me Profesorin ishin më të shpeshta. Personalisht, mendoj se më kanë vlejtur, kolegët e tjerë që mund të kenë patur fatin e kritikave nga ai, kanë përceptimin e tyre.
Profesor David Luka i përket brezit të fundit të artë të kolosëve që ka nxjerr kjo tokë në fusha të ndryshme. E kur ikën dikush nga ata, vendi i tyre mbetet gjithmonë bosh! Sepse është në kufijtë e të pamundurës që të zëvendësohen! Pushofsh në paqe Profesori im! /Nga Blerti DELIJA/