Profe, sot u mbushën plot 7 vjet që ike në një botë tjetër. Nuk e disa sa janë ata që kujtohen për ty por unë të kujtoj shpesh. Nuk e di nëse është ndonjë rreng i yti por në këto rrjetet sociale ku po humbim ditët, imazhi, përshtypjet dhe krijimtaria yte më shfaqen shpesh.
Profe, edhe sot si gjithmonë, unë të parafytyroj edhe atje në botën tjetër si antikonformist. Edhe me vetë Krijuesin. Nuk e di nëse po vazhdon të luash shah por kam përshtypjen se as Ai, megjithë fuqitë që ka, nuk që mund lehtë.
Patjetër që do t’ ia kesh bërë jetën “ferr” me atë cigaren që këtu poshtë por besoj edhe atje lart, nuk e ndan nga dora. “Karelia” jote e famshme që sillje nëpër gishta dhe e thithje papushim me buzë, më sjell shpesh herë imazhin tënd para syve.
Unë e di se i ke të gjitha informacionet nga këtu poshtë, na sheh e shpesh qesh me ne. Këto 7 vjet, Shkodra shumë pak ka ndryshuar. Natyrisht, ka më shumë ndërtime por mentaliteti mbetet i ngurtë. Sidomos për disa tema që dikur i diskutonim bashkë.
Pavarësisht këshillave të tua që të shkëputem nga ky zanat, unë vazhdoj të shkruaj. Ndoshta jo mirë, jo bukur, jo saktë! As unë nuk e di pse i jam dedikuar kështu dhe nuk e di se ku e gjej guximin që të mos zbatoj këshillën tënde në këtë rast. Të gjitha të tjerat, sipas meje, i kam zbatuar.
Profe, e di se do të më qortosh për fjalët në vijim. E di po ashtu se do të më qortosh që nuk bëj diçka më shumë nga sa po bëj, për çdo gjë. E di se do të më kritikosh edhe për shumë mendime e opinione që unë i jap shpesh herë, edhe me kosto. Por modestisht, diçka, shumë po shumë të vogël, kam marrë nga ti. Pavarësisht se nuk guxoj ta zgjas më shumë këtë temë…
Sot, dua të të kujtoj në kafe, i rrethuar nga miq por edhe tymi i cigares tënde. Askush nuk guxonte të të thoshte “fike”, askush nuk guxonte të kujtonte tabelat “ndalohet duhani”. Për shumë arsye. I druheshin përgjigjes tënde që nuk mund të kishte kundërpërgjigje. Por mbi të gjitha sepse ishe…Skender Drini.
Na mungon Profe! Mua dhe shumë miqve, shokëve e kolegëve të tu. Ndoshta jo të gjithëve, por shumicës patjetër. Boshlleku yt në Shkodër, nuk mund të mbushet!
Blerti, nxënësi yt atëherë e sot
P.S. Nuk po shkruaj më gjatë, arsyen e di ti vetë… Gjithsesi, shpresoj të gjesh kohë ti hedhësh një sy dhe të buzëqeshësh! Ti nuk ke pasë kurrë nevojë, por as sivjet nuk të përzgjodhën për ndonjë “dekoratë” presidenciale. E di se e din…sepse po shpërndahen përditë dhe “me kile”.