Unë e kam njoftë Smajlin, siç e kanë njoftë edhe mijëra të tjerë edhe jashtë Shkodre e Shqipnie. Më ka rastisë disa herë të pijë kafe me të dhe me ka ra në sy diçka shumë e veçantë për një artist Shkodre.
Pavarësisht se pas 1990- ës u anashkalua deri në harresë si aktor (kryesisht nga palaço- shteti ynë, në Tiranë e veçanërisht në Shkodër), nuk e dëgjova asnjëherë të fliste me mllef, me smirë për askënd, edhe ata që mbase i kishin hequr nga një tullë në rrugën e karrierës që i’a ndërprenë në kulmin e aftësive artistike me ardhjen e demokracisë.
Edhe nga kolegët që kanë punuar me të, kam dëgjuar fjalët më të mira. Kur siguronte me shumë sakrifica apo me dashamirësinë individuale të ndonjë producent- regjisori, pse jo të guximshëm, ndonjë rol në skenë apo në ndonjë mbremje në lokale, thoshte thjeshtë “me ja ba shyqyrin”.
Smajli ka pas halle, siç kanë të gjithë njerëzit e zakonshëm, e artistët më shumë se ne të zakonshmit, falë shpirtit të tyre emocional. Por nuk e vunë hallet poshtë, por nëpërkëmbja deri në harresë e nje artisti që pa diskutim ka lënë gjurmën e tij në humorin por edhe kinematografinë tonë me ato pak role.
Edhe orët e fundit të qëndrimit mbi këtë tokë, la amanet t’i kalonte vetëm, duke pase pranë vetëm njerëzit më të afërt që nuk e braktisën kurrë. Kam përshtypjen se e parandjente dhe nga kapërcyelli i dy botëve, nuk do ta duronte hipokrizinë e fjalëve të bukura të atyre që ja nxinë jetën, të paktën jetën artistike, siç ndodh rëndom me ata që na lënë.
Heshti gjithë jetën, duroi çdo gjë mbi shpinë, por të gjitheve ju ktheu “reston” me fundin e rrugëtimit në tokë: tashmë të gjithë e dinë se ishte dëshira e tij që të mos kishte një ceremoni solemne në hollin e teatrit “Migjeni”, edhe pse e meritonte! Arsyen nga dje, e dinë të gjithë, siç unë e kisha kuptuar që në të gjallë të tij se ai vuante përjashtimin e pamerituar nga radhët e kolegëve, që edhe ata, një pjesë të paktën, e konsideronin si një kategori me poshtë!
Nuk po të them lamtumirë Smajl sepse nuk dua të rreshtohem në radhët e patetikëve që të vajtojnë sot me lot krokodili! Kjosh mirë me Zotin, besoj se shpirtërisht si artist, je më i qetë! Ke në dispozicion skenën hyjnore tashma!
P.S. Kam pritë deri tash që dikush nga ata që e konsideronin akoma mik, të shkruanin diçka të ngjashme, edhe si autokritikë e mbrame e pa vlerë për momentin. Po e shkruaj unë, edhe pse nuk e kam pasë amanet, por ma kujtuan kafet që pinim dikur me Smajlin. /Nga Blerti DELIJA, publikuar me 7 tetor 2015/