Anilë!
Isha i dyzuar të të kujtoja publikisht për ditëlindjen tënde disa ditë më parë apo për ditë- ikjen tënde shumë të parakohshme. Ty dyja janë pranë, gëzimi që shpesh e festonim bashkë e hidhërimi, të cilin e le pas për ata që të njohën nga afër apo edhe nga larg.
Nga 10 prilli i tre viteve më parë, pak gjë ka ndryshuar. Ikja jote vazhdon të na duket e pabesueshme akoma. Të sjellim shpesh në mesin tonë e me gjasë, edhe ti nga atje lart ku e sheh e dëgjon çdo gjë, besoj se e ndjen se nuk jemi shkëputur asnjë moment nga ti. Nga kujtimet tuaja.
Teksa po shkruaj këto rreshta, më vjen në mendje takimi ynë i parë, në pallatin e sportit, në një aktivitet politik. Nëse kujtesa nuk më gabon, ka qenë diku për zgjedhjet e vitit 2001. Sapo kisha kaluar tek TV Rozafa dhe ti ishe e “Shekulli”- t. Patë një komunikim formal, si në çdo njohje të parë. Në vijim, njohja kaloi në shoqëri e më pas në miqësi, edhe familjare.
Sot më vijnë në mend peripecitë e jetës tënde, të cilat disa herë i bashkëndanim. Ta thoja shpesh e po ta përsëris, jeta nuk të dha aspak atë që meritoje, që duhej të kishe. Por ti ishe e fortë, shumë e fortë, e kështu dua të të mbaj mend edhe sot.
LEXONI EDHE: Pse u ngute me ik o Anilë…?!
Ishe e fortë edhe kur Covid- 19 sillej në ajër, edhe në takimin e fundit, disa javë para ikjes tënde, kur u takuam, bashkëbiseduam e madje qeshëm me Covid- 19, teksa ishe në klasë me nxënësit e tu. Natyrisht, as un e as ti nuk mund ta mendonim se nuk do të takoheshim më për së gjalli.
E pastaj, erdhi 10 prill 2021. Ti ike, ike e përcjellë me shumë respekt, mirënjohje e dashuri. Ike por le pas kujtime pa fund, për të mos u harruar asnjëherë, nga kolegë të vjetër e të rinj.
Anilë,
Besoj se tashmë je pranë njerëzve më të dashur të jetës tënde, atyre që ikën para teje duke të krijuar një boshllëk, të cilin mbase ka arritur ta mbushë disi vetëm puna jote, angazhimi yt unikal si gazetare dhe mësimdhënëse.
Kjo jetë është një udhëtim, ka një fillim dhe sigurisht një fund. Ti jetove, jetove çdo ditë të një jete që mund dhe duhet të të kishte dhënë më shumë. Ky përvjetor i tretë i ikjes tënde, përkon me ditë Bajrami. Qe në mëngjes herët, binte zilja e celularit… Emri dhe numri yt vazhdojnë të jenë në celularin tim…