Në udhën skenike teatrore interpretoi 71 role, në udhën kinematografike mbi 20 role
Vitore Nino (Ujka) ishte nga ato aktore të teatrit “Migjeni” të Shkodrës, që çdo rol që interpretonte kishte si “maja” shpirtin e saj, herë epik e herë lirik, herë prej burrëneshe e herë të shoqëruar me një humor fin shkodran. Krijimi i figurës së Hallës të fanatikut te kinokomedia “Çifti i lumtur” (14.12.1974) do të mbahet mend gjatë për magjinë e interpretimit, për vështrimin shpotitës, buzagazin e të qeshurën e ëmbël, për të folurin plot ngjyrë e befasi të këndshme. Ky rol do të jetë një nga realizimet e talentit të saj si aktore, edhe pse kanë kaluar 49 vjet.
Jetëshkrimi
Vitorja u lind në vitin 1924, me 7 shkurt në Shkodër. Pasi mbaron Institutin Pedagogjik të Shkodrës, fillon punë si mësuese, në fillim në Tiranë e më vonë në Kosovë. Jep lëndën e Gjuhës shqipe. Edhe pse ajo e kishte nisur këtë rrugë diturore, dashuria për teatrin mbetet motiv i parë, ëndërr që e ndjek pas… Kështu nis rrugëtimin e parë, e përfshirë, në grupet amatore të qytetit të Shkodrës. Takimi me regjisorin Andrea Skanjeti për Vitoren do të jetë mbresëlënës. Regjisori e aktivizon në pjesën “Portreti” (viti 1946), ku ishte dhe vetë regjisor. Edhe pse hera e parë, Vitorja e shndrit rolin. Në vitet e mëvonëshme, regjisori Skanjeti në shfaqjet që vuri në skenë, Vitores do t’i besojë role të rëndësishme në përputhje me karakterin e saj. Për Vitoren, regjisori Skanjeti do të shprehej: “Është një ndër aktoret që përvetësonte menjëherë të dhënat regjisoriale dhe e studionte rolin e saj në thellësi. Këto të dhëna i mishëronte duke i zhvilluar me krijime të reja sipas natyrës së personazhit që interpretonte. Që nga “Portreti” (1946) dhe gjatë periudhës së 30 e më shumë viteve ndër shfaqjet që mori pjesë u dallua për një realizëm sa më të natyrshëm të rolit. Këto i përgatiste me dashuri dhe ishte e lidhur ngushtë me teatrin sa ajo nuk u shkoq nga ai as kur doli në pension.”
Në teatrin profesionist të Shkodrës
Me themelimin e teatrit profesionist të Shkodrës (Vendim i Këshillit të Ministrave Nr. 572, datë 24.11.1949. U inagurua më 29.11.1949) për Vitoren, ëndrra e bukur për teatrin, nuk është më ëndërr por realitet. Ajo bëhet profesioniste dhe është në bërthamën e parë të këtij teatri. Së bashku nëpër vite me Ida Krajën, Çezarina Çiften, Aneta Nikaj, Antoneta Fishtën, Tinka Kurtin (Thani), Bahrije Manin, Fadile Mustafën…, ato do të jenë “pranvera shkodrane” e teatrit shkodran. Vitorja me talentin e saj në udhën skenike teatrore interpretoi 71 role, në udhën kinematografike mbi 20 role, një punë si regjisore, disa punë si as / regjisore. Është vlerësuar me titullin “Artiste e Merituar”, ndërsa Shkodra, qyteti i saj i lindjes e nderoi me “Mirënjohja e qytetit”. Vdiq më, 25.03.2007, në moshën 83-vjeçare.
Studiuesi F. Slatina, në mes të tjerave shkruan kështu për Vitoren: “Vitet e fundit Vitorja, ashtu si shumë shkodranë të tjerë, e la Shkodrën, qytetin e saj dhe familjarisht u shpërngul në Tiranë. Në një moshë të thyer, Vitorja la pas qytetin e ëndrrave të saj, la pas skenën, miqtë, kolegët e vjetër e të rinj, la pas kujtime të cilat i mbetën një peng në udhëtimin e saj drejt Tiranës. Një verë, dhe, ndoshta e fundit, e takova te kafja me emrin “Lux” (Tiranë). Bisedova me të, dhe në fjalët e saj ndihej ai trishtimi për Shkodrën, por humori dhe sytë e qeshur të saj e bënin më të gjallë dhe i jepnin forca e kurajë.” (F. Slatina, gaz. 55, 20.03.2007). Për të njohur më mirë talentin e aktores Vitore Nino, po ju njohim me biografinë e saj artistike:
-“Përmbysja” (në rolin e Tatjanës, 26.05.1950), -“Makar Dubrava” (në rolin e Marijes, 23.12.1950), -“Zani i Amerikës” (në rolin e Sally-s, 29.04.1951), -“Nën okupacion” (në rolin e Sofisë, 30.06.1951), -“Njerëz me vullnet të mirë” (në rolin e Kanës, 29.11.1951), -“Kopraci” (në rolin e Marianës, 20.02.1952), -“Në prendim” (në rolin Mary Kler, 26.06.1952), -“Jeta fillon përsëri” (në rolin e Marisë, 15.10.1952), -“Agimi” (në rolin e Tringës, 14.12.1952), -Ata u rritën në luftë” (në rolin: gruaja e ÇAU TEÇU, 29.03.1953), -“Kush asht fajtori?” (në rolin e Polja-s, 11.01.1954), (Këtu prezantohet me mbiemrin e ri Nino, ndërsa mbiemri i amësisë ishte Ujka), -“Toka jonë” (në rolin e Lokes, 27.04.1954. Është dublante me aktoret Antonjeta Fishta e Marije Logoreci. Rolin e Lokes Vitorja e ka interpretuar 43 herë), -“Shtëpia buzë shkambit” (në rolin e Dilës, 28.11.1954), -“Këthimi” (në rolin e Sutës, 03.04.1955), -“Tartufi”, 01.06.1955), -“Shtërngata” (në rolin e Tekluskës, 20.04.1956), -“Fejesë e ngatrresë” (në rolin e Shaqes, 20.06.1956), -“Krahët” (në rolin e Nadjezhdës, 29.11.1956), -“Tirani i Padovës” (në rolin e Tisbe-s, 27.04.1957), -“Nana” (në rolin e Nanës, 03.11.1957), -“7 shaljanët” (në rolin e Sykës, 28.02.1958), -“Banuesit e shkallës Nr.6” (në rolin e Shpresës, 06.07.1958), -“Dy binjakët venecianë” (as / regjisore, 11.01.1959), -“Kunora e Nurijes” (në rolin e Havasë, 15.05.1959), -“Votra e huej” (në rolin e Bjeshkës, 07.11.1959), -“Tragjedija optimiste” (në rolin e një plake, 30.04.1960), -“Maskat” (në rolin e Lezes, si dhe është regjisore, 02.07.1960), -“Nora” (në rolin e Sutës, 28.12.1960), -“Histori irkutase” (në rolin e infermieres, 05.04.1961), -“Prefekti” (në rolin e Hajrijes, 18.05.1961), -“Këneta” (në rolin e P. Larës, 06.11.1961), -“Mësuesja” (07.03.1962), -“Rrena me kambë të gjata” (në rolin e Kristinës, 30.06.1962), -“Plaku i maleve” (në rolin e Lenës, 25.11.1962), -“Shtëpi kuklle-Nora- (në rolin e Ana Marisë, 21.04.1963), “Hijet në rrugë” (në rolin e Files, 28.11.1963), -“Zekthi” (në rolin e zonjës Fabrici, 20.03.1964), -“Përtej prakut” (në rolin e Elenës, 27.05.1964), -“E bardha dhe e zeza” (në rolin e Qerimes, 13.03.1965), -“Parimori” (as / regjisore, 20.05.1965), -“Përkolgjinajt” (në rolin e Marës, 26.06.1965), -“Familja e peshkatarit” (në rolin e nanës, dublante me aktoren Violeta Sekuj, 12.03.1966), -“Si u kalit çeliku” (në rolin e Nanës së Pavlit, 30.06.1966), -“Cuca që koriti mallet” (Cuca e maleve) (në rolin e Prendës, 11.09.1966), -“I pesti u zu gjallë” (në rolin e Martës, dublante me aktoren Antonjeta Fishta, 27.11.1966), -“Para agimit” (në rolin e Nikijes, 19.04.1967), -“Fisheku në pajë” (në rolin e Soses, dublante me aktoren Antonjeta Fishta, 29.07.1967), -“Shqiponjat” (në rolin e Tringës, 30.12.1967), -“Ngjarje në fabrikë” (në rolin e Sanijes, 13.07.1968), -“Zgjohu shoku Niqifor” (në rolin e Ferides, 17.11.1968), -“Dhëndëri” (në rolin e Sanijes, dublante me aktoren Antonjeta Fishta, si dhe as / regjisore; 18.06.1969), -“Këshilli i ndrikullave” (në rolin: Ndrikulla e dytë, 19.10.1969), -“Pushkët e Nanës Karrar” (në rolin e Nanës Karrar, 24.05.1970. Në këtë vit aktorja Vitore Nino vlerësohet me titullin “Artiste e Merituar”), -“Toka jonë” (në rolin e Lokes, dublante me aktoren Tinka Kurti, 11.11.1970), -“Pionieri” (në rolin e Nanës së Agronit, 27.12.1970), -“Mbi gërmadha” (në rolin e Lajës, 29.04.1971), -“Ëndrra e tokës” (në rolin e Dalinës, 20.12.1972), -“Cuca e maleve” (në rolin e Prendës, 19.05.1973), -“Mysafiri i natës” (në rolin e Mone Shkurtës, 23.10.1973), -“Shpartallimi” (në rolin e Hikes, 18.07.1974), -“Çifti i lumtur” (në rolin e Hallës së fanatikut, 14.12.1974), -“Përmbytja e madhe” (në rolin e Gjelës, 22.05.1977), -“Jehona e një dite shkurti” (në rolin e Davës, dublante me aktoren Miriam Bruçeti, 27.11.1977), -“Kur flasin zemrat” (në rolin e Lijes, 25.11.1978), -“Baca i Gjetajve” (në rolin e nënë Bjeshkës, dublante me aktoren Violeta Sekuj; 11.04.1979), -“Mirë se erdhe, Elona!” (në rolin e Sajës, janar 1982), -“Çështja e Blertës” (në rolin e Ije Sulës, 1984).
Kinematografi:
Rolet në kinematografi qenë më të vonshëm se në teatër. Skena teatrore është jeta e aktores Vitore Nino. Pjesëmarrja e saj në kinematografi qe më shumë se 20 role. Interpretimi i saj i parë ishte në filmin “Komisari i Dritës” në rolin e Nënës së Pëllumb Currit, 1966). Më pas: “Çifti i lumtur” (në rolin e Hallës së fanatikut, 1975), “Ditët që sollën pranverën” (film në TV, 1978), “Qortimet e vjeshtës” (1981), “Dora e ngrohtë” (1983), “Dasma e shtyrë” (1985), “Rikonstruksioni” (në rolin e gjyshes, ku dhe ishte roli i fundit, 1989), “Balada e Kurbinit” (në rolin e një nëne kurbinase, 1989).
Meditim
E kam njohur Vitoren. Kujtoj gjatë bisedave me të: vështrimin që të ndiqte gjatë kuvendimit, të qeshurën e saj, zgjuarsinë dhe urtësinë që përcillte, lakonizmin në ndërtimin e fjalive, cigaren që e ndezte si për të shuar një brengë… Gjithashtu kujtoj: ecjen e saj të ngadaltë, flokët e dendur kaçurrela. Nga mënyra se si i krihte flokët aq bukur, nuk e di pse më ngjanin me një ikonë. Për rolet që interpretoi, vërtet, ajo ishte një ikonë, pavarësisht se aktiviteti i saj nuk pati publikimin e duhur.
Ajo që të bie në sy në karrierën e saj artistike, krahas shumë roleve të spikatura, ishin edhe ato, që përfaqësonin figurën e Nënës. Gjatë interpretimit figua e Nënës nuk i ngjante njëra-tjetrës. Talenti i saj ishte i atillë sa gjente tipare të reja, dritësime të botës së brendshme në gdhendien e karakterit; ndaj dhe artistikisht ky model-figure ishte i ri dhe i papërsëritshëm. E tillë ishte aftësia dhe fuqia aktoriale e Vitores. Ama, në ndërtimin e kësaj figure, vërejmë se të gjitha Nënat i përbashkon një emërtim i vetëm shprehës e dimensional: Burrnesha. Po, Burrneshë, ishte dhe vetë aktorja e talentuar: Vitore Nino, apo siç është quajtur: “Halla e përjetshme!”. /Nga Xhahid BUSHATI/