Heshtje!!!! Heshtje institucionale edhe në 105 – vjetorin e lindjes së legjendës së burgjeve të diktaturës komuniste, Osman Kazazi. 9 korrik. Kjo dite fillon në një mënyrë të veçantë për mua, ashtu si çdo 9 korrik të jetës time. Me një buqetë lulesh në dorë ndjek rrugën drejt një ”Busti të vogël për dyzet vite burg”, siç shkruan z.Agron Sejamini.
Në bazamentin e gurtë mbi të cilin qëndron busti, ku shkurt e thjeshtë shkruhet: IA KUSHTOI JETEN LIRISE DHE ATDHEUT, përqëndroj vështrimin me mirënjohje e falenderim të thellë mbi emrin Paul Luyf, mjeku hollandez që dhuroi kontributin për këtë bust. Eh, fola me vete, edhe bustin e kujtesës nuk ia ngritën shqiptarët!
Në fytyrën e bronxtë endet si e gjallë buzëqeshja që e karakterizonte, e ëmbël dhe që fliste shumë. Po, po, të kuptova!Pavetëdijshëm po dialogoja me të, si dikur në dhomën e madhe, të ngrohtë e zemërhapur për miq shqiptarë e të huaj. Për t’i qëndruar besnike një prej cilësive të tij më të vyera: modestisë, por dhe faktit që kurrë nuk e pranoi kultin e individit, largohem ngadalë e me një trishtim që nuk më rëndon pak, për në shtëpinë e tij të përjetshme, atje ku ai nuk do të më ndalonte të vendosja këtë buqetë.
Përkëdhel me gishtat e mi gërmat prej bronxi, që radhiten bukur njëra pas tjetrës duke formuar vargjet që miku e bashkëvuajtësi tij, Islam Lleshi ia kushtoi me shume dashuri: Pushon tej harresës,
Simboli i qëndresës,
Nacionalisti i besës,
Njeriu i vuajtjes e i shpresës.
Nëse do të ishe ende në këtë jetë unë dhe im vëlla me shumë gëzim do të të festonim njëqind e pesë vjetorin e lindjes. Ndihem krenare që jam mbesa e një njeriu kaq të veçantë, por ndiej dhe një dhimbje të thellë, pasi sikurse shkruan dhe z.Alfons Zeneli: Askush nuk u kujtua për Osman Kazazin, që bëri dyzet vite burg në diktaturë.
Fatkeqësisht edhe në ditëlindjen e tij të njëqind e pesë u përkujtua vetëm me dy buqeta me lule, ajo e familjes, e vendosur në shtëpinë e tij të përjetshme dhe ajo e mjekut hollandez Paul Luyf, e vendosur në bustin që ngrihet mbi tokën ku Osmani lindi dhe jetoi.
Njëzet e tre vite më parë, më 3 mars 1999, u largove nga kjo jetë, por mbetesh kujtesë e dhembjes dhe e qëndresës ndaj së keqes, jo vetëm për dashurinë e familjarëve të tu, por edhe të historisë së kombit. /Nga Nesrete BUSHATI JEGENI, publikuar në Facebook/