Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” përkujton sot 5-vjetorin e ndarjes nga jeta të një prej figurave më të nderuara të këtij universiteti, një ndër emrat e spikatur të fushës së arsimit shqiptar, Prof. Dr. Mahir Hotit.
Gjatë 47 vjetëve në arsim ai ka kryer këto detyra: 1971-1972, mësues në shkollën e mesme të përgjithshme “28 Nëntori”; 1972-1975, pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik Shkodër (sot Universiteti “Luigj Gurakuqi”); 1978-1982, kryeinspektor i Arsimit në rreth, më pas pedagog në Universitetin e Shkodrës dhe që nga viti 2000, Rektor i këtij institucioni.
Prof. Dr. Mahir Hoti është përzgjedhur në listën e 100 arsimtarëve më të mirë të botës në vitin 2006. Emri i tij do të renditej në sallat e Qendrës Ndërkombëtare të Biografive në Cambridge të Anglisë, përkrah shumë personaliteteve të tjera nga i gjithë globi, që kanë dhënë një kontribut të vyer në fushën e arsimit.
Gjatë kohës së drejtimit të tij, Universiteti i Shkodrës është ngritur në një stad më të lartë procesi të mësimdhënies, ndërsa janë nënshkruar shumë marrëveshje bashkëpunimi me universitete të ndryshme të Ballkanit dhe të Europës.
I përjetshëm qoftë kujtimi i Prof. Dr. Mahir Hotit! /Publikuar në Facebook në faqen zyrtare të Universitetit “Luigj Gurakuqi”/