Pesë vjet më parë ndërroi jetë në moshën 90-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë, bilbili i këngës qytetare shkodrane, Artisti i Merituar, Bik Ndoja.
Ai lindi në 13 gusht të vitit 1925 dhe ishte një nga këngëtarët më të shquar të muzikës popullore shkodrane të gjysmës së dytë të shek. XX. Këngën e nisi që në fëmijëri, për t’u bërë më pas pjesë e pandarë e jetës së tij.
Në vitin 1969 iu akordua titulli “ Artist i merituar”, ndërsa në vitin 1999 Bashkia e qytetit të Shkodrës i akordoj titullin “ Krenaria e qytetit”, në vitin 2007 Qendra Kombëtare e veprimtarive folklorike i jep titullin “Interpretues i shquar i jares shkodrane”, ndërsa që në vitin 2011 pranë institucionit të Presidentit qëndron dosja për akordimin e titullit “Mjeshtër i madh”, por që asnjëherë nuk ju dha asnjëherë sa ishte gjallë. Në përvjetorin e parë të vdekjes, Presidenti Nishani i akordoi titullin më të lartë “Nderi i Kombit” Bik Ndojës.
Për herë të fundit Bik Ndoja mori pjesë në një aktivitet artistik në vitin 2014, atë të “Ahengut Shkodran”. Pesë vjet më parë, homazhet në nderim të bilbilit të këngës qytetare Shkodrane Bik Ndoja u zhvilluan në Teatrin “Migjeni”, në tempullin e kulturës shkodrane e shqiptare.