Piktori Agim Gecaj nga Tuzi i Malit të Zi, është autori i një tabloje mjaft të veçantë, e cila ka si temë sakrificat e familjes Haradinaj për lirinë e Kosovës. Piktura, e cila i është dhuruar kryeministrit Ramush Haradinaj, paraqet një moment mjaft delikat në jetën e tij por edhe të familjes Haradinaj. Një nga drejtuesit e rëndësishëm të luftës së UÇK-së në Kosovë, Ramush Haradinaj është fiktuar në telajo ndërsa mban në shpinë vëllanë e tij të pajetë, Luanin, edhe ai në rradhët e UÇK-së.
Deri para pak ditëve, ka qenë mister se kush e ka porositur piktorin Agim Gecaj të realizojë një pikturë kaq domethënëse, të dhimbshme po edhe të lavdishme, që tregon sakrificat e njërës prej familjeve më me kontribute për lirinë e Kosovës. Personi që ka porositur pikturën e veçantç, është një shqiptar i cili jeton në Detroid të Amerikës, i cili quhet, Zef Lulgjurgjaj. Në një postim Zefi ndër të tjera shkruan sa vijon:
Postimi i plotë (i paredaktuar):
S’pari po ju them se nuk e kisha leht me lshua Malsin e me dal shtalb i ri n’Detroit, mu nda prej vandlindjet me fillua jetën e re. Ishte 1985 kur mora rrugët e largëta, por me bani mirë, sepse largimi nga Malsia, zgjoi tek unë edhe ma shumë dashuninë ndaj atdheut.
Rinia m’kaloi tue mbajt n’gji mallin për atdheun e robnuem, dhe gjithçka që ndodhte atje, mbjellte mall e nostalgji n’zemren time. Me luftën e kosovës, filloi edhe angazhimi im intenziv n’jetën politike.
Familja Jashari dhe Haradinaj zgjuen ndjenjen e patriotizmit të çdo shqiptar, pra edhe tek unë personalisht. Por nga të gjithë herojt e gjallë, Ramushi la kujtime te pashlyeme n’zemren time, e sidomos ajo natë kur e bajti n’shpinë vlla Luanin, prej Krumes deri n’Has.
Ai rrefim i tij i asaj nate, do t’mbetet përgjithmonë i shenuem n’zemrën time. Por deshta ta ngjalli edhe n’pikturë, qe t’mos harrohet, prandaj me kërkesën time e angazhova piktorin ( Agim Gecaj ) që t’a pikturoi Ramushin me vlla Luanin n’shpinë.
Kjo ne njifar dore ishte dhurata ime per heroizmin e tij gjatë luftës.
Por mos harrononi, se unë jam iniciatori i vetëm që i bana ftesë para dy vitësh për manifestimin e Malsisë Madhe me rastin e 6 Prillit që u realizua sivjet.
Kjo asht n’pika t’shkurta veprimtaria ime atdhetare këtu n’Michigan dhe simpatia ime ndaj gjeneral Ramush Haradinaj.
Me respect Zef Lulgjuraj Detroit
Michigan 23/7/2019