Qeveria ka në plan që të përfshijë në listën e shpenzimeve të zbritshme, interesat e kredive të marra nga ana e familjeve të reja për të blerë shtëpinë e tyre të parë. Në planin katërvjeçar të qeverisë 2017-2021 ku jepen disa nga lehtësitë fiskale që do të aplikohen përfshihet pikërisht edhe kjo pikë.
Masat fiskale të deklaruara
“Ne do të vazhdojmë përkrahjen e sipërmarrjes me masa fiskale, përveç lehtësive procedurale që tashmë janë aplikuar. Gjatë mandatit të dytë synohet që: Tatimi mbi të ardhurat personale për fashën e lartë të të ardhurave nga paga të ulet në 18%. Tatimi mbi dividendin të reduktohet në 6% Tatim-Fitimi për prodhimin në Teknologjinë e Informacionit për të nxitur zhvillime në një industri të domosdoshme për zhvillimin ekonomik afatgjatë të shkojë në 5%. T’iu jepet ndihmë familjeve të reja për blerjen e shtëpisë së parë, duke njohur si shpenzime të zbritshme interesat e kredive të marra për këtë qëllim” thuhet në planin e qeverisë.
Njohja e interesave të kredive për blerje shtëpie për këtë konigjent i shtohet listës tjetër të shpenzimeve të zbritshme që aplikohen sot si pjesë e deklarimit të të ardhurave personale.
Aktualisht si shpenzime të zbritshme njihen shpenzimet vjetore që një tatimpagues bën për mjekim, për vete, për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor por kjo deri në masën 8 532 lekë.
Në rast të plotësimit të deklaratës nga kryefamiljari, shpenzimet vjetore për mjekim, për vete apo për fëmijët e personat në kujdestari për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor, janë 8 532 lekë për secilin anëtar të familjes, por jo më shumë se 32 000 lekë.
Po kështu shpenzime të zbritshme janë edhe interesat e kredive që janë marrë për arsim.
Kush përfiton nga shpenzimet e zbritshme
Shpenzimet e zbritshme njihen vetëm për ata që bëjnë deklarim të të ardhurave personale. Detyrimin për deklarim e ka çdo individ rezident shqiptar që realizon të ardhura bruto vjetore me burim brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë mbi shumën 2.000.000 lekë. GjithAshtu çdo individ jorezident që realizon të ardhura bruto vjetore me burim brenda territorit të Republikës së Shqipërisë në shumën mbi 2.000.000 lekë.
Sipas ligjit individët e tjerë rezidentë shqiptarë të cilët nuk janë subjekt i plotësimit dhe dorëzimit të deklaratës individuale vjetore, por që realizojnë të ardhura vjetore bruto jo më shumë se 1 050 000 lekë, mund të plotësojnë dhe dorëzojnë deklaratën individuale vjetore të të ardhurave nëse duan të përfitojnë nga zbritja e shpenzime të kryera gjatë vitit kalendarik fiskal.
Kjo nismë e qeverisë për të zgjeruar listën e shpenzimeve të zbritshme duket se ka për qëllim rritjen e kontingjentit të deklaruesve vullnetarë për të ardhurat personale. /Monitor/