Ish-kryetari i PD-së në Tropojë, Azgan Haklaj, pas një takimi të zhvilluar me Lulzim Bashën, ka ftuar demokratët që të mbrojnë statutin e partisë, duke u shprehur kundër mbledhjes së Kuvendit nga Sali Berisha. Haklaj thekson se “Berisha e humbi betejën me historinë pa lavdi e me anë të një lëvizje të re nuk mund ta rishkruaj më”.
“Çdo përpjekje për rrëmbimin e PD-së e pushtimin e institucionit të opozitës për ta mbajtur peng e bunkerizuar atë për hallet e Berishës e familjes së tij cenon sigurinë kombëtare dhe është mirëfilltasi grusht shteti, por nuk do të ndodhë kurrë”, shprehet ai në një postim në rrjetet sociale.
Deklarata e Azgan Haklajt:
Takim i përzemërt me z Lulzim Basha.
Ftoj të gjithë demokratët e Shqipërisë për respektimin e institucionit të votës plebishitare me anë të cilit kanë zgjedhur z Basha dhe mbrojtjen e statutit të Partisë Demokratike që delegatët e kuvendit kombëtarë vetë kanë votuar. Kuvendin Kombëtar e mbledh kryesia dhe keshilli kombëtar me propozim të kryetarit është e shkruar në kushtetutën e partisë.
Edhe sikur të gjithë delegatët të firmosin formularët nuk e thërrasin dot kuvendin.
Statuti e zgjidh proçedurën qartë, ngarkon institucionet e partisë të zgjedhur me votë për thirrjen e kuvendit dhe kur thirret ai.
Zgjedhjet kanë mbaruar.
Lavizjes çartiste të z Berisha po i vjen fundi.
Endrra për rithemelimin e PD-së do mbetet utopi.
Berisha e humbi betejën me historinë pa lavdi e me anë të një levizje të re nuk mund ta rishkruaj më.
Demokracia ka dy shtylla pozitën dhe opozitën.
Partia Demokratike ka zgjedhur organet e saj dhe miratuar statutin nëpërmjet votës së lirë në mënyrë të pakontestueshme.
Berisha po keqpërdor militantët e Partisë Demokratike të Shqipërisë për utilitarizmin personal dhe të familjes së tij duke i bërë karshillek aleatit tradicional të shqiptarëve SHBA.
Çdo përpjekje për rrëmbimin e PD-së e pushtimin e institucionit të opozitës për ta mbajtur peng e bunkerizuar atë për hallet e Berishës e familjes së tij cenon sigurinë kombëtare dhe është mirëfilltasi grusht shteti, por nuk do të ndodhë kurrë.
Statutet e partive janë konform kushtetutës.
Demokratë të Shqipërisë absolutizmi i patriarkut Berisha ka vdekur.
Berisha po përdor me skolastikën e tij dumbabistët si vullnetarët e Enver Hoxhës dhe po barazon vetë berishizmin me enverizmin.
Epilogu i berishizmit është fundi i autokratizmit dhe mbyllja e tranzicionit të gjatë dhe prologu i një epoke të re.
Vajatoret të vazhdojnë kujen dhe dollibashët të mbysin trishtimin me ballë kazani.