Vllaznia e futbollit vazhdon të jetë kryefjala e muajve të fundit. Paraqitjet e kuqebluve, po ngrejnë peshë zemrat e shkodranëve. Të atyre në Shkodër por edhe në Tiranë e jashtë Shqipërisë. Sigurisht, artistët kanë ndjeshmëri të lartë edhe për sukseset e sportit dhe ndryshe nga njerëzit e zakonshëm, frymëzimin e kthejnë në art.
Dy prej këtyre artistëve të mirënjohur, janë shkodranët “24 karat” Shpëtim Saraçi kompozitor dhe Sidrit Bejleri këngëtar. Prej disa ditësh qarkullojnë zëra se ata po përgatisin diçka për Vllazninë. Madje diçka kishte zbuluar në një studi televizive edhe Sidrit. Por vetëm kaq deri sonte. Para pak minutave, sponsori i Vllaznisë Alban Xhaferi, ka publikuar një foto dhe vetëm një koment të shkurtër.
“Me artistat tonë të mrekullueshëm qe po bëjnë diçka të mrekullueshme për dashninë tonë❤💙”, shkruan Xhaferi në publikimin e sitj. Sipas gjasave, dy artistët shkodranë po përgatisin ndonjë surprizë për Vllazninë, shkodranët e tifozët anëkënd botës. Me shumë mundësi, ndonjë këngë, me shpresën deri në besim se sivjet Vllaznia do të sjellë trofeun e shumëdëshiruar në Shkodër.
Këngët për Vllazninë, janë kthyer në traditë në Shkodër, me autorë e këngëtarë të jashtëzakonshëm si Prenkë Jakova, Bujar Qamili, Frederik Ndoci për të përmendur vetëm disa krijime. Urojmë që Vllaznia jonë të meritojë krijimin që Saraçi e Bejleri po bëjnë gati për të. Dmth, të sjellin titullin kampion në Shkodrën tonë…/ShkodraWeb Media/