Zyrtari i Lartë i Policisë së Shtetit, Rebani Jaupi, ka zbuluar se fakte të reja po dalin në dritë në lidhje me masakrën me 4 viktima në Shkodër, më 30 Tetor, ku humbën jetën si pasojë e një atentati mafioz, Hamza Lici dhe Arlind Bushati, si edhe çifti i pafajshëm i bashkëshortëve, Flutura dhe Bashkim Basha.
Jaupi tha në studion e emisionit ‘Kjo Javë’ se ngjarja është në ndjekje dhe shumë shpejt do të zbardhet. Megjithatë, theksoi se zbardhje ngjarjeje nuk do të thotë informacion për persona specifikë.
“Është gjendje që ne duhet të reflektojmë, strukturat e policisë po e ndjekin pa ndërprerje, qoftë ngjarjen e Shkodrës, qoftë të Tiranës. Ka një dritë për ngjarjen e Shkodrës. Është në ndjekje dhe çdo ditë dalin fakte të reja që ndihmojnë hetimin. Zbardhja nuk do të thotë se kemi informacion për x persona”, tha Jaupi.
“Jam i bindur se do kapen autorët e ngjarjes në Shkodër dhe ngjarjeve të tjera të rënda të ndodhur së fundmi. Kemi marrë masa të shtuara në qarkun e Shkodrës, ku ka pasur problematika të shumta, edhe për kultivimin e drogës“, shtoi ai.