Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi sot në seancë se si mund të rriten rrogat e mësuesve, policëve, ushtarakëve etj. Ai e cilësoi akt të turpshëm dyfishimin e rrogave për zyrtarët e lartë, teksa tha se pagat e tjera në raport me inflacionin zbriten me 1%.
Berisha: Keni sjellë këtu një ligj që do të doja ta votoja se kam qenë dhe mbetem gjithnjë për rritjen e rrogave dhe pensioneve. Kam bindjen më të thellë se vetëm me gjysmën e asaj që vidhni çdo vit, pagat do mund të dyfishohen.
Por nuk e votoj kurrë këtë ligj, sepse është një mashtrim i tmerrshëm.
Sepse institucionet e pavarur kanë gjetur se ndërsa dyfishoni rrogat e zyrtarëve të lartë, zbrisni me 1 përqind rrogat e mësuesve, rrogat e arsimit parauniversitar, rrogat e policëve, rrogat e ushtarakëve.
Pra, ju kryeni një akt të turpshëm. Për vete rrisni rrogat, për të tjerat bëni një indeksim. Dhe çfarë indeksimi, indeksim me inflacionin njëvjeçar. Dhe me gjithë këtë indeksim, përsëri në raport me inflacionin, disa kategori më në nevojë detyrohen të mbeten me minus.
Propozuam që të vendosim minimumin jetik në një periudhë kur sirenat e mjerimit po ulërijnë në gjithë vendin. T’i japim çdo qytetari 200 euro, llogari kjo e Avokatit të Popullit.
Duke u dhënë nga 200 euro, nxjerrim shqiptarët nga varfëria ekstreme. Shqiptarët nuk kanë lindur të varfër, por i vjedh qeveria, i keqtrajton qeveria.
Me 200 euro, çdokënd e nxirrni nga humnera ekstreme që quhet mjerim. Kurse ju rrisni rrogat e larta, ky është cinizëm, kjo është pashpirtësi.
Ju nuk keni asnjë lidhje me qytetarët, e vetmja gjë që u lidh është t’u vidhni votat.