Sporti është një nga aktivitet më të ndjekura në mbarë botën dhe sigurisht edhe në Shqipëri. Shpesh herë krenohemi me arritjet e sportistëve tanë nëpër botë, por fatkeqësisht ata nuk mbështeten aq sa duhet financiarisht.
Kushtet e vështira në të cilën ata stërviten, janë një nga pengesat kryesore të sportistëve në Shqipëri, dhe pavarësisht të gjithave kampionët tanë ia kanë dalë të valëvisin flamurin shqiptarë nëpër vendet e ndryshme të botës, duke siguruar medalje të rëndësishme.
Por në lidhje me vështirësitë e të stërviturit dhe mbështetjen financiare të munguar ndaj tyre, ka reaguar edhe ish-sportisti i njohur. Në një intervistë për “Newsport.al”, Arbis Vjerdha, i cili është krijuesi i Kick-Box, është shprehur se politika po ndjek rrugën e gabuar për zhvillimin e sportit dhe vit pas viti po kontribuon në “vrasjen” e tij.
Një jetë me sportin, si e sheh Arbisi zhvillimin e tij në Shqipëri?
– Ka 30 vite që sporti në Shqipëri, si nga e majta ashtu edhe nga e djathta denigrohet në mënyrë të vazhdueshme. Por në këto 10-15 vitet e fundit po ndjekin politika vrasëse. Po e vrasin sportin me duart e tyre çdo vit e më shumë.
Qeveria herë pas here ka premtuar se do ta mbështesë me çdo kusht, por duket se të ardhurat e akorduara nuk mjaftojnë për të ecur me hapat e fqinjëve tanë. Çfarë mund të na thoni për këtë?
– Të mbështesësh sportin duke ndërtuar stadiume, nuk është mbështetje kjo. Sigurisht është një mbështetje e vogël, por nuk mjafton. Pritja e sportistëve me makina e pompozitete. Kjo është hipokrizi, nuk është mbështetje për sportin. Sporti në gjithë botën paguhet, sepse sportistët japin rininë e tyre për më dhënë ato rezultate që në fund të fundit janë krenaria e flamurit kombëtar.
Në Kosovë qeveria akordon 15 milionë euro për sportin, ndërsa në Shqipëri 50 milionë lekë të reja për 37 federata. A iu duket e drejtë kjo politikë e qeverisë?
– Ne kemi 37 federata. Fondi grand për 2023 ka dalë 500 milionë lekë të vjetra. Po çfarë do bëjnë 37 federata me 500 milionë lekë të vjetra, ndërkohë që Kosova, një Shtet i sapo krijuar ka 12-15 milion euro për 22 federata. Ata nxjerrin kampion olimpik, ne kampionë botëror. Nëqoftëse ti e paguan sportistin ai ta shpërblen. Në fund të fundit ai kalon në një punëtor dhe shteti nga viti në vit nuk bën asnjë lloj gjëje për këto sportista. Një Sportist për t’u bërë pjesë e një shkolle sportive duhet të plotësojë të gjitha normat si gjithë të tjerët. Sportistat nuk kanë asnjë lloj përkëdhelje nga shteti në asnjë fushë, as në shkollë, as në jetë, as në punë. Te ministria ku hartohen politikat, futen në punë militantë politik, këtu nuk e kam fjalën për Partinë Socialiste, e kam fjalën për të dyja palët PS e PD. Sa herë ikën dhe vjen njëra palë na sjellin shkencëtarë aty, që nuk kanë lidhje fare me sportin, ata as nuk janë marrë kurrë me gjimnastikë e mëngjesit në jetën e tyre dhe hartojnë politika për ne që kemi derdh djersë dhe kemi humbur rininë tonë për këtë sport. Bëjnë politika që nuk kanë lidhje absolutisht me realitetin e vendeve të treta në botë. Ka dy mundësi, ose ato janë totalisht njërëz të papërgjegjshëm dhe nuk kanë asnjë lloj haberi për atë që bëjnë për zhvillimin e sportit, ose ato janë njerëz të poshtër dhe bëjnë me dashje për të vrarë sportin. Nuk ka asnjë lloj shpjegimi tjetër. Nëse ato guxojnë që të ulen dhe të përballën me sportistët përpara kamerave dhe sportistët të shpjegojnë se çfarë do të thotë të zhvillojnë sportin, jam jo 99% por 1000% se ato s’kanë asnjë lloj përgjigje për të na kthyer, sepse janë totalisht të paaftë në atë që hedhin në letër.
Si ish-anëtar Këshilli Bashkiak keni punuar me çdo kusht që ndihmesën më të madhe ta japë shteti. Pse mendon se nuk është dëgjuar sa duhet zëri juaj?
– Sepse e keqja është më e madhe sesa zëri im. Disa sportistë dhe ish-sportistë në fakt janë speudonjerëz. Për shkak të asaj rroge që marrin ata ditë për ditë heqin nga një pllakë nga dinjiteti i tyre dhe tashmë janë zhveshur totalisht, saqë tashmë nuk lëvizin më nuk bëjnë dot asnjë lloj lëvizje. Unë personalisht dhe ministër nëse më vendosin, nëse më vendosin, unë zgjidhi punë, por çfarë do lloj pozicioni pune unë se kam ndërmend të uli ritmin e të folurit për sportin, meqenëse kjo është fusha ime. Për sportin, kulturën, artin. Ne jemi të persekutuarit e demokracisë. Nëqoftëse në komunizëm, intelektualët u persekutoheshin, në demokraci janë persekutuar sportistët dhe artistët. Absolutisht jemi më të persekutuar. Nga fondi i shtetit marrin shoqatat e LGBT-së lekë shumë më tepër seç merr sporti dhe arti, që i përdorin për të pastruar paratë, dhe çuditërisht sporti nuk merr. Financohet gjithë çfarë njerëzish nga jashtë për të hapur një ekspozitë apo për të organizuar një koncert. Shteti investon për këto, por jo për sportin dhe sportistët e vet. Ka shumë gjëra që nuk shkojnë të cilat i bëjnë militantët dhe sporti po dëmtohet gjithmonë e më shumë.
Shqipëria ka sportistë elitarë, kampionë bote por me pak mbështetje. A mendon se në këtë mënyrë shteti ynë kontribuon në shuarjen e tyre?
– Sigurisht që shteti po kontribuon në shuarjen e tyre. Për shembull, merr Komitetin Olimpik që ka një vit që ka filluar së rifunksionuari pas 30 vitesh. Sepse për 30 vite sportit shqiptarë i janë hequr 25 medalje olimpike dhe botërore, sepse në krye të KOKSH kanë qenë njerëz armik të sportistëve. Ndërsa qeveritë nuk kanë bërë asnjë lloj gjëje për të ndihmuar këto sportistë. Unë kam qenë nga ato sportistë që kam marrë medalje, Elis Guri që iku nga Shqipëria dhe doli në Bullgari, Sait Prizreni që doli për Australinë dhe shumë sportistë tjerë, sepse në vendin tonë nuk kanë gjetur asnjë lloj mbështetje, asnjë lloj përkrahje. Për 30 vite i kanë shkelur sportistët me këmbë. A nuk po vritet sporti!? Me gjithë këto miliona që derdhen, kriminelë dhe njerëz nëpër burgje, vazhdon sporti dhe arti të mos përkrahen. Ligji i sportit që kemi ne është më denigruesi në rruzullin tokësorë. Kur nuk i jep asnjë lloj prioriteti sportistëve dhe as investitorëve që duan të sponsorizojnë sportin, çfarë ligji për sportin është ai!? Është një ligj i cunguar, që denigron thellësisht të gjitha sportet ekipore dhe individuale. Kryeministri Rama jep 100 milionë lek për sportin, ndërsa Erion Veliaj jep 1 milionë euro vetëm për ekipin e Tiranës. Atëherë hajde të votojmë Erion Veliajn, edhe Hitleri po të ishte do ia jap votën, sepse ai po më jep mua për të ngrënë në fund të fundit. Unë nuk kam simpati për asnjërin nga partitë, por do votoj atë që bën më të mirën për mua. Këto po e vrasin me çdo kusht sportin. Unë nuk di të bëj gjë tjetër në jetën time, përveç se sportit. Kam bërë sport, kam studiuar për sport, por fëmijët e mi nuk duan të dinë çfarë ka bërë babai i tyre, ata duan të hajnë, të vishen dhe të shkollohen. Atëherë si do ia bëjnë sportistët shqiptarë. I kam thënë edhe kryeministrit, a do vdesim te parkingu, siç vdiq Ymer Pampuri, kampioni olimpik që kemi pas. Vdiq roje parkingu me 100 mijë lek.
Si mund të zgjidhen kjo situatë?
-Gjëja e parë çfarë duhet të bëjmë është që politikat mbi zhvillimin e sportit të hartohen në Komitetin Olimpik. Fondi grand të akordohet jo më pak se 5 milionë euro si fillim dhe të mos i jepet ministrisë, por KOKSH-it që të shpërndahet. Sepse Komiteti Olimpik është ai që i ka federatat më afër, që ndjek punën e federatave, që ndjek zhvillimin dhe promovimin e sportit në Shqipëri dhe më kryesorja nuk përbëhet nga njerëz militantë që ndërrohen çdo 3-6-9 apo çdo mandati. Zgjedhja e presidentit është një ish-sportist dhe që ka hobi, që ka të gjithë vizionin dhe misionin e duhur për të zhvilluar sportin. Vetëm kështu mund të zhvillohet sporti, ndryshe nuk zhvillohet sporti duke ndërtuar stadiume nga 20-30 milionë euro për të luajtur disa ekipe që nuk e kalojnë as nivelin e Ballkanit. Këto nuk na duhen neve, Shqipërisë i duhet t’i plotësohen kushtet e sportistëve, kushtet e jetesës, deri sa t’iu garantohen kurat mjekësore, spitali, shkollën, të përjashtohen nga taksat deri te biznesi i vogël, të përjashtohen nga taksat për një makinë që mund të kenë, sepse sa sportistë elitarë mund të ketë Shqipëria, 100 nuk ka më tepër. Si ka mundësi që një sportisti nuk i garantohet një pension pasi mbaron karrierën sportive. Të gjithë sportistët në botë janë pa shkollë, sepse arrijnë të bëjnë 5-6 orë stërvitje, shumica shkollohen pasi kanë përfunduar me sportin, sepse sporti të merr pjesën më të madhe të kohës. Unë i kam dhënë çdo gjë vendit tim, ku vendi im më lë në rrugë të madhe, më harron. Si do iu them fëmijëve të mi, vazhdoni ju me sportin, se jeni fëmijë kampionësh, dhe në fund të vdesin për bukë. Jo mor jo nuk funksionon kështu. Luisa Gega po stërvitet në Kenia, por me dal me prit me pompozitet dalin e bëjnë, por kushtet ma stërvit nuk ia plotësojnë. Shkon e stërvitet në Kenia e bija e botës. A ka turp më të madh?
Zgjedhja e Fidel Yllit në krye të KOKSH-it ishte lajm i mirë për sportin. Por duket se dhe Komiteti Olimpik po përdoret nga qeveria. A jeni i këtij mendimi?
– Komiteti Olimpik nuk po përdoret nga qeveria. Unë personalisht kam qenë kundër zgjedhjes së Fidel Yllit si president. Por tani shikoj që Fidel Ylli po bën punë për 1 vit sa nuk është bërë kurrë për 30 vite. Atëherë pse mos ta votoj përsëri Fidel Yllin. Komiteti Olimpik ka ndryshuar fytyrë, ka ndryshuar qasje, ka ndryshuar menaxhim, ka ndryshuar çdo lloj gjëje në mënyrë rrënjësore. Komiteti Olimpik absolutisht nuk ka mbështetjen e ministrisë, që do të thotë nuk është politikës. Ministria po bëhet pengesë për 100 nismat që ka Komiteti Olimpik. Ata që punojnë në ministri janë shkatërrimtarët e sportit shqiptarë në vendin tonë.
Edhe futbolli, sporti më me shikueshmëri, tanimë është drejt nock-out. Pse?
-Futbolli është biznes kudo. Nuk e di që në momentin që Armando Duka është zgjedhur president i Federatës Shqiptare të Futbollit, futbolli ka pas diku 20 mijë marka buxhet, janë afërsisht 12 mijë euro. Tani të gjithë stadiumet që janë bërë dhe Edi Rama thotë që i kam bërë un, janë bërë në bashkëpunim UEFA-n. Po bëhet projekti i 100 fushave nëpër gjithë Shqipërinë që është një projekt i hapur për të gjithë, por e keqja nuk vjen nga federata, por nga futbollistët dhe arbitrat bixhozgji. Nuk vjen e keqja nga menaxhimi. Futbolli është i ndarë nga ministria, tashmë ka një status të vetin. Futbolli nuk është afër nock-out.
Si njeriu kryesor i Kick-Box në Shqipëri, kush është zgjidha juaj?
– Zgjidhja më e mirë e mundshme është investimi te sporti, dhe t’i lihen lekët që jepen për sportistët Komitetit Olimpik dhe ky i fundit të merret me shpërndarjen e fondeve të federata, trajtimi i sportistëve dhe çdo gjë tjetër që ka lidhje me sportin. Sigurisht duhet edhe një ligj i detajuar për sportin, i cili duhet të favorizojë sportistët elitar ku u jepen disa të drejta, siç i kanë shumë vende të tjera. Duhet t’i trajtojmë mirë sportistët, tu krijojmë kushtet sepse ne jemi akoma në gjendje për të prodhuar kampionë, siç kanë dalë për shtet e tjera, të gjithë prodhim shqiptarë janë, si rasti i kampionit çeçen që krenohet Shqipëria. Nuk mundesh me thënë që ky është prodhim i imi. Ne nuk mundemi me thënë që Shqipëria ka prodhuar lojtarët, ne ia kemi marrë Kosovës, ajo i ka prodhuar, prandaj duhet të investojmë, mos investo tulla, por në njerëz, në shkollë, e personalitete dhe hartimin e politikave që ndikojnë në zhvillimin e sportit. /Floridona ADEMAJ/