Në lidhje me ngjarjen e mbrëmshme, në Velipojë, ku u vranë me armë zjarri, shtetasit Arsid Hoxha dhe Eriseld Ishmi, ju informojmë se: Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, të kryera menjëherë pas ngjarjes:
-Sektori për Hetimin e Krimeve të Renda i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër ndaloi shtetasin Mario Pali, 29 vjeç, banues në Shkodër;
-në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Lezhës, u ndalua shtetasi Zyber Zagradi, 26 vjeç, banues në Dibër.
Këta 2 shtetas, punonjës në një lokal në afërsi të vendit ku ndodhi ngjarja e mbremshme, dyshohet se janë përfshirë në konfliktin ndërmjet shtetasve Eduart Frroku, Gëzim Frroku, Arsid Hoxha dhe Eriseld Ishmi.
Shtetasi Zyber Zagradi, rreth orës 23:20, është paraqitur për të marrë mjekim, në spitalin rajonal të Lezhës, i dëmtuar lehtë në këmbë, me armë zjarri. Ai dyshohet se është plagosur gjatë të shtënave me armë zjarri.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të strukturave në varësi të saj, të mbështetura nga grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, vijojnë intensivisht kërkimet për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve Eduart Frroku dhe Gëzim Frroku.
Gjithashtu, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po kryhen hetime dhe po fiksohet çdo provë që do të mundësojë dokumentimin ligjor të rrethanave të kësaj ngjarjeje, si dhe individualizimin e përgjegjësisë penale së 2 shtetasve të ndaluar.