Prej disa ditësh banorë të zonave të Dukagjinit janë ankuar për vështirësitë e lëvizjes në aksin rrugor Shkodër- Dukagjin. Forca policie kanë nisur kontrolle të pandërprera në territorin e Postribës, ku është instaluar edhe një postbllokë i përforcuar. Pavarësisht se nuk ka një komunikim zyrtar, mësohet se ky postbllok është në kuadër të masave të marra nga policia e Shkodrës për luftën kundër kanabis. Zona e Dukagjinit është një nga zonat ku më shumë është i përhapur kultivimi i kanabis sativa dhe si pasojë, do të kontrollohet me rigorozitetin më të madh, thonë burime jo zyrtare të policisë.
Të gjitha mjetet që qarkullojnë në këtë aks, po kontrollohen me imtësi. Fillimisht për dokumentacionin e më pas edhe për dokumentat e drejtuesve të këtyre mjeteve. Jo vetëm kaq. Në sitën e policisë po kalojnë edhe banorë të zonës, të cilëve u kërkohen dokumenta identtifikimi. Për mediat qytetarët shprehen mjaft të shqetësuar, teksa po u krijohen probleme të qarkullimit drejt shtëpive dhe anasjelltas. Në takimin prezantues të nisjes së fushatës anti- kanabis në Shkodër, drejtori i policisë Vehbi Bushati tha se kultivimi dhe më pas tregtimi i drogës do të bllokohet totalisht.
Duke ditur se Dukagjini është vetëm një nga zonat më të ndjeshme të kultivimit të kanabis, në ditët në vijim pritet të ketë edhe postblloqe të tjera të policisë në territorin e Shkodrës. Në bashkëpunim me strukturat e pushtetit vendor, policia synon ta frenojë totalisht këtë fenomen në Shkodër.