Policia e Shkodrës ka njoftuar vënien në pranga të tre personave, që sipas uniformave blu, kundërshtuan punonjësin e policisë në hyrjen e Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër. Këto persona, ishin pjesë e një grupoi qytetarësh që para dy ditëve, u mblodhën para Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për të protestuar ndaj Përmbaruesve Gjyqësorë që kërkonin ti largonin nga shtëpitë e tyre në zonën e ish- Fermentimit të Duhanit në Shkodër. Atë ditë, u raportua për një punonjës policie që u largua nga vendi i tij i sherbimit, duke bërë që qytetarët të hynin në ambjentet e gjykatës.
NJOFTIMI I POLICISË SË SHKODRËS
Kundërshtuan punonjësin e Policisë për të hyrë në Gjykatë, arrestohen 3 shtetas.
Strukturat e Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, arrestuan shtetasit E. M. 20 vjeç, P. P., 55 vjeç dhe R. K. 66 vjeç, banues në lagjen “Skënderbeg”, Shkodër.
Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi kanë kundërshtuar punonjësin e policisë së rendit publik, duke hyrë në ambientet e Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për të kërkuar informacion lidhur me caktimin e një seance gjyqësore, pas një padie të bërë nga këto persona në Gjykatë.
Materialet i kaluan Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.