Vijojnë kontrollet në zbatim të detyrave të caktuara në planin e masave për garantimin e mbarëvajtjes së sezonit turistik, si dhe të porosive të posaçme që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, iu ka lënë shërbimeve të Departamentit të Policisë Kufitare, për vigjilencë të shtuar dhe për prani të pandërprerë në qytetet dhe në vijën bregdetare, me qëllim sigurimin e rendit dhe zbatimit të ligjit për qytetarët dhe pushuesit, si dhe për parandalimin e krimeve që kryhen përmes detit. Nga këto kontrolle, janë bllokuar 3 mjete të tjera lundruese që janë konstatuar duke lundruar në kundërshtim me ligjin dhe me rregullat e lundrimit.
Në liqenin e Shkodrës, u bllokua një mjet lundrimi skaf, pasi drejtuesi i tij nuk kishte në bord, dokumentet e nevojshme për daljen në det. Për këtë shkelje, drejtuesi i këtij mjeti lundrues, u ndëshkua me masë administrative 10 000 lekë të rinj.
Në portin e Durrësit, si rezultat i veprimeve verifikuese të kryera në bashkëpunim me homologët gjermanë, u bllokua mjeti lundrues skaf, me drejtues shtetasin F. L., 41 vjeç, banues në Shijak, pasi dyshohet se ky mjet lundrues është vjedhur në Australi. Për 41-vjeçarin u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”. Në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.
Në vendin e quajtur “Hunda e Marinës”, Sarandë, u bllokua një mjet lundrimi varkë plastike, sepse drejtuesi i saj nuk kishte certifikatën për ushtrimin e veprimtarisë si operator ekonomik në fushën e turizmit, si dhe sepse nuk kishte në bord, dokumentet e nevojshme për daljen në det. Për këto shkelje, drejtuesi i këtij mjeti, u ndëshkua me 2 masa administrative, me vlerë totale 110 000 lekë të rinj.