Partia Demokratike – Komisioni i Rithemelimit, ka reaguar në lidhje me shoqërimin e drejtorit të Ujësjellës- Kanalizime Shkodër, Arvit Bushatit. Në një postim në rrjetet sociale, Partia Demokratike – Komisioni i Rithemelimit thekson se shoqërimi i tij është bërë pa asnjë shkresë dhe në mënyrë abuzive e shton se policia u bindet urdhrave politikë.
“Në një kohë kur krimi po bën ligjin dhe shteti shqiptar është gjunjëzuar përpara tij, policia e shtetit vijon ti bindet urdhrave politik. Pa asnjë shkresë dhe në mënyrë abuzive është ndaluar gjatë orëve të mbrëmjes nga policia e Shkodrës dhe është shoqëruar në komisariatin e Shkodrës n/kryetari i FRPD së Shqipërisë Arvit Bushati.
Efektivët e policisë pa asnjë shkresë, por vetëm nga urdhrat politik të shpërndara përmes telefonit bënë ndalimin e tij duke zgjedhur ti nënshtrohen kërkesave absurde të eprorëve, ndërsa bëjnë sehir përpara krimit që ka mbërthyer Shkodrën duke mbjellë pasiguri për qytetarët e saj. Kjo situatë kriminale ku për ligjin nuk pyet askush, është fytyra e vërtetë e qeverisë Rama e cila në gjithë këto vite ka zgjedhur që të bëhet palë me të keqen. Nuk është hera e parë që të tilla skena kryhen në Shkodër ndaj përfaqësuesve të opozitës, përmes ngjarjeve të inskenuara dhe tërësisht antiligjore, vetëm e vetëm për ti intimiduar dhe mbajtur nën presion.
Edi Rama dhe bandat e tij me dhe pa uniformën e shtetit, por të sponsorizuara prej tij nuk do t’ja arrijnë të nënshtrojnë opozitën dhe mbështetësit e saj, përtej çdo skeme që do të tentojnë të vënë në zbatim. Partia Demokratike i bën thirrje policisë së shtetit dhe të gjitha strukturave ligjzbatuese të qëndrojnë larg urdhërave politik pasi do të përballen me forcën e ligjit dhe nuk do të ketë Edi Ramë që ti mbrojë përballë këtij skenari antiligjor që është ngritur në këto 10 vite në vend.”, shkruan Partia Demokratike – Komisioni i Rithemelimit.
Nënkryetari i FRPD-së, Arvid Bushati është ndaluar mbrëmjen e kësaj të marte nga policia. Bushati ka qenë duke pirë kafe në një lokal pranë stadiumit “Loro Boriçi” kur është marrë nga forcat e policisë. Nuk dihet ende motivi i shoqërimit të tij në polici. Arvid Bushati është edhe Drejtor i Ndërmarrjes Ujësjellës Kanalizime Shkodër.