Policia ka publikuar foto nga arrestimi i 38-vjeçarit Klodian Çalamani, autori i krimit makabër në fshatin Grecalli të Fierit, i cili rrëmbeu dhe groposi një 8-vjeçar, duke i shkaktuar vdekjen.
“News 24” raporton se Klodian Çalamani e ka marrë të miturin në banesë dhe më pas e ka goditur në kokë me lopatë. Fill pas kësaj ai e ka groposur të miturin në baltë, në oborrin e banesës së tij ku jetonte prej vitesh i vetëm.
Po ashtu mësohet se pas ngjarjes horror, autori ka dalë në rrugë duke pyetur familjarët të viktimës nëse e kishin gjetur djalin, për të humbur gjurmët.
“E mora në shtëpi, e vrava dhe më pas e groposa me baltë në oborr”, kjo është dëshmia paraprake e Klodian Çalamanit për policinë.
Klodian Çalamani njihej në zonë si një person që abuzonte me alkoolin, dhe 15 vite më parë kishte bashkëpunuar në pengmarrjen dhe dhunimin brutal të një vajze 16-vjeçare.
8-vjeçari ishte nisur në shkollë, por nuk kishte shkuar. Ai është parë në lagje teksa shëtiste me biçikletë.
Ka qenë nëna e djalit që ka dhënë alarmin në lagje se i mituri nuk kishte shkuar në shkollë dhe nuk gjendej as në shtëpi. Pasi kontrolluan në lagje, ajo bashkë me bashkëshortin bënë denoncimin në polici. Kjo e fundit nisi hetimet.
Pas këqyrjes së disa kamerave të sigurisë në lagje, u pa nga prindërit se 8-vjeçari kishte hyrë në banesën e 38-vjeçarit Klodian Çalamanit, me biçikletën e këtij të fundit.
Kjo ka shtuar shumë dyshimet, ndërsa policia ka zbarkuar në banesën e 38-vjeçarit. Ky i fundit pasi u përball me uniformat blu, shfaqi shenja nervozizmi, ndërsa pasi u mor në pyetje në polici, ai ka pranuar autorësinë.