Në nji editorial “Cili ash të problemi i Europës?”(The N. Y.Times 22 maj 2018) nobelisti në ekonomi, profesor Paul Krugman i Universitetit Princeton, shkruente: “Nëse ju duhet me identifikue nji vend dhe nji kohë ku dhe kur andrrat tona humanitare – vizioni i nji shoqënie që ofron jetë me dinjitet për të gjithë anëtarët e saj- u plotësuen aq shumë, ky vend dhe kjo kohë, pa dyshim, do të ishin Kontinenti Europian dhe gjashtë dekadat e mbas L2B. Ka qenë nji nga mrekullitë e historisë: nji kontinent, që njohu shkatërrime masive, të cilat sollën diktaturat, gjenocidin dhe konfliktet ushtarake, u tranformue në nji model të demokracisë dhe të prosperitetit ekonomik të shpërndamë me zemërgjanësi”.
Europa filloi reformat shoqënore që në shekullin e 19. Në Britaninë e Madhe, legjislacioni për klasën punëtore, në Francë me arsimin e përgjithshëm cilësor, në Gjermani me sigurimet shëndetsore që në vitin 1881 nga kancelari Bismarck, e të tjera. Europa e re, e tronditun nga luftërat e vazhdueshme, përforcoi pozitat e kujdesit shëndetësor për popullsinë që pruni zgjatjen e jetës, pakësimin e vorfënisë, rritjen e pagave në nivele njerëzore dhe pruni paqen, stabilitetin (80 vjet Europë pa luftë!) bashkëpunimin dhe mbrojtjen kolektive, në mes tjerash.
Sot, kjo “mrekulli e historisë” kërcënohet seriozisht nga “forcat e errëta”, jo liberale, që lindën nga keqësimi i gjendjes ekonomike europiane dhe u ashpërsuen nga efekti negativ i konservatizmit politik në SHBA, me presidentin D.J. Trump. Gabimet e së kaluemes krijuen konditat e sotme. Në Europë, vendimi për krijimin e “euro-s” si monedhë europiane e përbashkët, pruni nji atmosferë euforike, të shoqënueme nga shpenzime të pajustifikueshme që ndihmuen shumë në zhvillimin ekonomik të disa vendeve, krahas me korrupsionin.
Koncentrimi i pushtetit ekonomik europian në Bruxelles, shkaktoi dobësimin e politikës financiare të pavarun të shteteve anëtare. Kur kriza ekonomike filloi të përhapej, shumë shtete nuk ishin në gjendje me përballue nevojën e marrjes së masave qeveritare të nevojshme, sepse vendimet merreshin me aprovimin e organeve të Bruxelles-it. Shtete si Italia, Spanja, Portugali, Greqia, u gjetën në nji pozitë të vështirë ndaj kërkesave për nji politikë austeriteti, dhe u banë viktima të nji krize që damtoi randë jetën e tyne të përditëshme dhe perspektivat për nji zhvillim ma të tejshëm në të ardhmen.
Papunësia u rrit, dhe bashkë me atë pakënaqsia e masava në nevojë ndihme qeveritare që nuk mund të vinte. Disa vende, si Islanda dhe Polonia që nuk pranuen euron si monedhë, u gjetën në nji situatë ma të mirë për rindërtimin e ekonomisë, sepse tue zhvlerësue monedhën, u rritën eksportet dhe krijuen fonde që ndihmuen rindërtimin. Ramja ekonomike dhe papunësia e krijueme ngjallën moskënaqsinë e përgjithshme popullore dhe në atmosferën e re rezultoi fitorja politike e së djathtës ekstreme me frymë antieuropiane: në Itali (me fitoren e lëvizjes “Cinque Stelle”) në Poloni, ku Partia Ligj e Drejtësi –PiS- ka mbushë gjykatat, neglizhue mediat publike dhe pothuejse monopolizue administratën me anëtarë të Partisë, dhe në Hungari ku Kryeministri V.Orban shfrytëzon shoqëninë civile dhe abuzon fondet e shtetit dhe të BE me pasunue oligarkët që e përkrahin, dhe ku marshi i forcave të errëta rrezikon rrëshqitjen në “fashizëm”.
Në Rumani, udhëheqësit kanë dobësue ligjet kundër korrupsionit që rrezikon me i gëlltitë. Në qarqet intelektuale europiane u krijue dyshimi se varja e ekonomive lokale nga qendra europiane në Bruxelles mund të ishte “shkaku” e jo “shërimi” i problemeve që ballafaqojmë! Në raste të vendeve ku historia peshon randë –si ishte rasti i Britanisë së Madhe, “perandoria botënore”- nënshtrimi ndaj “zyrtarëve të Bruxelles-it” ishte nji përulje që shkaktoi pakënaqësi të thellë. Kjo shpjegon daljen nga Bashkimi Europian i Britanisë së Madhe, i njohun si fenomeni “Brexit”.
Si rrjedhim, thyhet uniteti europian dhe shkelën disa nga vlerat morale të B.E. kryesisht emigracioni ekonomik i lirë dhe solidariteti me refugjatët që ikin nga vdekja…! Europa përballohet me “forcat e zeza” që rezistojnë demokracinë. Hapi i parë ashtë krijimi de facto, i hapët ose i mshehun, i qeverive që dominohen nga nji parti e vetme politike. Cinikët në vende të ndryshme flisnin për këtë zhvillim thellësisht të padëshirueshëm. “Tashti që Europa e Lindjes u çlirue nga ideologjia e huej politike, komunizmi, ka mundësi të kthehet në rrugën që ka ndërprerë, ne fashizëm”.
“Edhe në SHBA, –shkruen nobelisti Krugman,- sot praktikisht sundohemi nga nji parti politik,e që ka shumë pak respekt për normat demokratike, ose sundimin e ligjit!”. Kjo gjendje quhet “populizëm” (në SHBA edhe “trampizëm”) – premtime të pasprovueme për zgjidhjen e problemeve serioze, premtime me zgjidhë hallet e popullit të thjeshtë, shoqënue edhe me kufizimin e të drejtave qytetare të garantueme me Kushtetutën – qëndrime që përfundojnë në neofashizëm. Ata u mundësuen nga diskreditimi i nji elite politike dhe nga dalja e vrullshme në skenë e “hijeve të zeza”. Ky zhvillim frikëson!
* * *
‘Fashizmi”, përshkruhet nga profesor N.O’Sullivansi “….nji doktrinë që kombinon ‘nacionalizmin’ etnik me pikëpamjen totalitariste, se shteti duhet të kontrollojë të gjithë aspektet e jetës shoqënore. Fashizmi kundërshton ‘liberalizmin’, lirinë personale dhe ngulë kambë që plotësimi i dëshirave tona duhet t’u nënshtrohet (kërkesave) të shtetit e jo e kundërta – ose (kërkesave të komunizmit) identitetit klasor dhe aspiratave që kërcënojnë unitetin e shtetit…. Autoritetet politike e kulturale asimilohen dhe identifikohen me ‘vullnetin kombëtar’, i cili artikulohet nga nji “udhëheqës’ (Duce!) kombëtar që koncepton detyrën e vet si nji mision me pengue degradimin kombëtar”.
(“Fascism”, London,1983) Preokupimi ynë i madh dhe zhvillimet politike që dëshmojmë, shkaktohen nga fakti se në opinionin e gjanë të botës demokratike nuk mund të injorojmë “stuhinë” që grumbullohet për rreth nesh. Paraziti “fashist” sot paraqitet nëpërmjet nji kërcënimi që nuk e kemi pa që nga vitet e mbas L2B. Lista e zhvillimeve shqetë- suese ashtë e gjatë: përpjekjet e njimbasnjishme të partive në fuqi me grabitë autoritetin shtetnor, në Hungari, Poloni, Filipine, Turqi, vende aleate të SHBA-se. Por edhe në SHBA, fryma e urrejtjes, që zakonisht shkatërron të gjithë ata që e ushqejnë, zhvillohet vazhdimisht, me rezultate që mund të tregohen si katastrofike.
Lëvizja nativiste e Presidentit Trump “America first!” ashtë në të vërtetë nji kërcënim serioz për paqen në botë dhe infrastrukturën ndërkombëtare të bashkëpunimit dhe mbrojtjes kolektive. Në Federatën Ruse, despotizmi i Presidentit Putin lulëzon. Rezultatet e shumta i shohim në okupacionin e Krimesë, infiltrimin e “rebelëve” rusë në Ukrainë, nxitjen dhe përkrahjen e kriminelit Asad në Siri dhe sidomos në ndërhymjen brutale të vitit 2016 në zgjedhjet presidenciale të SHBAsë, nji lëkundje e fortë politike që vazhdon pa ndërpremje edhe sot.
Shtypi ndërkombëtar thekson tashti edhe presionin rus në gadishullin ballkanik në përpjekjet e veta me zevendsue tërheqjen strategjike të SHBA-së nga ky gadishull. Sot, SHBA janë ba objekt kritikash të hapuna për shkeljen e të drejtave të njeriut me ligjet e reja të emigracionit dhe anulimin e njianëshëm të marrëveshjeve të arrituna ma parë, për “politizimin” e veprimeve qeveritare pa asnji shqetësim për damin e madh që i bahet shoqënisë- veçanërisht rinisë- amerikane. Me ushqimin e “mitit” të invincibilitetit amerikan, shpenzohen miliarda dollarë për armatimet dhe kërcënimet që rrezikojnë konfliktin e qëllimshëm ose aksidental.
Në ballafaqim me këtë “rrezik”, publiku përparimtar amerikan përdor mbrojtjen e së vërtetës, shtypin e lirë si mbrojtës të popullsisë, forcimin e parimit që asnjeri – tue përfshi edhe vetë presidentin- nuk ashtë përmbi ligjin; dhe, me shumë randësi, kërkon nga çdo qytetar amerikan “pjesë- marrjen’ në procesin demokratik pa u dekurajue, sidomos pjesëmarrjen në votimet lokale dhe kombëtare. Ky qëndrim përjashton aksionin e dhunshëm! Sot, në SHBA populli amerikan tregon pjekuninë e vet politike, dhe konfirmon besimin në të ardhmen demokratike të këtij vendi.
Amerika ashtë nji vend ku populli, me origjinë ma të ndryshme, punon së bashku për të mirën e përgjithshme, për mbrojtjen e të drejtave për të gjithë dhe për sigurimin e lirisë dhe drejtësisë për të gjithë. Ky ashtë “the American exceptionalism”, shpesh i keqinterpretuem, por nji model për të gjithë popujt e botës që andrrojnë nji jetë të lirë dhe me dinjitet, për të gjithë ata që kundërshtojnë sundimin e nji partie ose të nji njeriu të vetëm, që mashtron i mbështjellun me rrobe demokratike…!
* * *
Zhvillimet politike në Europë- kryesisht në Hungari e Poloni – kanë prodhue dy sisteme hibride. Në dy shtetet nuk ka polici sekrete. Qarkullimi i qytetarëve ashtë i lirë. Kapitali i huej hynë në të dy vendet. Por as Hungaria, as Polonia, nuk mund të quhen “vende demokratike”, sepse demokracia e tyne ashtë “illiberale”, pa frymën e lirisë. Dora e udhëheqësve politikë, ashtë e randë nga qëndrimi ultra-konservativ i partive politike në fuqi. Ky zhvillim u ba i mundun në dy vende që u dalluen për qëndrimin e tyne heroik kundër diktaturës së kuqe, me sakrifica të mëdha.
Pa dyshim, nji ironi e historisë që do të mbetet si shembull i mundësive të pakufizueme që paraqiten në jetën politike të vendeve tona- edhe në Shqipëri! Ky zhvillim politik tregon se edhe në Shqipëri vijon nga faqja 1 “…po humbasim zakonin- ndoshta edhe aftësinë- me ba dallimin në mes të realitetit dhe zbrazëtisë. Ky ashtë faktori që vështirson shumë rimbëkamjen”, me citue nji shprehje të Masha Gessen.
Sot, në vendin tonë, PD-ja që përfaqë- soi kundërshtimin popullor ndaj PPSH-së në fillim dhe ndaj PS ma vonë, dhe premtoi nji Shqipëri me “liri dhe demokraci”, nji “Shqipëri si e gjithë Europa” ashtë reduktue në nji grup “politikanësh” qëllimmirë ndoshta, por pa eksperiencë, pa sensin e përgjegjësisë, e paaftë me dalë nga “dara socialiste” që e mban të gozhdueme në vend… në karriket e Kuvendit, nji minoritet aty ku vendimet merren nga “shumica” pa respekt për pakicën dhe fjalën e saj; dhe akoma ma keq, pa bindjen se “politika ashtë në esencë kompromis”, dhe se vendimet merren me debate të ndershme dhe argumentime profesionale nga të dyja palët.
Ndërsa PS ka humbë vlerën e saj “socialiste” e komprometue me randë me “pasunimin” e saj nga elementë neokomunistë që gëzojnë mbështetjen e plotë të PS. Grindjet e vazhdueshme, zhurmëmëdha e pa substancë, kanë krijue nji kakofoni që nuk shërben asnjenën palë. Probleme serioze për jetën e vendit si korrupsioni që nga koka deri në kambë, zhvillimi i shfrenuem i drogës dhe efektet katastrofale të saj për familjen shqiptare, papunë- sia dërrmuese, sidomos në zonat malore të vendit dhe vorfënia masive (që ajo krijon!) ramja e prestigjit tonë kombëtar, udhëheqës që nuk frymëzojnë as lejojnë me shpresue për nji përmirësim të mirëfilltë të gjendjes, dhe dekurajimi i masave do të krijojnë konditat e nevojshme për nji reagim –kam frikë!- violent dhe daljen në skenë të “hijeve të zeza ose të kuqe” me mendimet e qëllimet e tyne, të zeza ose të kuqe, si këmishat e zemrat e tyne, të zeza ose të kuqe…..!
Dhe kjo ashtë krejtësisht e mundun, sepse “elita politike” që ashtë krijue në vendin tonë ashtë diskreditue randë si entitet politik pa program e pa vullnet. “Jepi popullit punë dhe shpresë!” përfundonte këto ditë ish-KM i Britanisë së Madhe, Tony Blair. Ai shtonte: “Organizoni aksione të përbashkëta për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta; fraksionalizmi në politikë ashte i destinuem me dështue”. Sot ma shumë se kurrë, në Shqipëri duhet përjashtue zemërimi që shpesh sjellë diversiteti i mendimit; sot, ma shumë se kurrë na duhen përgjigje që kërkohen për pyetjet e shumta nga të katër anët e vendit.
Premtime që nuk mund të mbahen për zgjidhjen e shqetësimeve të popullit të thjeshtë, krijojnë probleme edhe ma të mëdha, ndoshta zgjidhje të përkohshme, por përfundojnë pa përjashtim në nji zemrim popullor kundër “elitave” të vendit. Trazina shoqënore nuk duhet të kenë vend në Shqipëri. Konflikti në mes të vlerave tradicionale të demokracisë liberale perëndimore dhe forcave të reja të autoritarizmit, mostolerancës dhe nacionalizmit etnik, ashtë sot sfida e madhe botnore. Ne shqiptarët, mesazhi i Presidentit francez E.Macron, na ngrohë, sidomos në këto ditë kur shpresohet se hymja e Shqipërisë në Bashkimin Europian po afrohet.
Le ta presim me krahëhapët: “Nuk dëshiroj me qenë pjesë e breznisë që flen me sy hapun e që ka harrue të kaluemen e vet. Unë dëshiroj me qenë pjesëtar i breznisë që ka vendosë me mbrojtë me fuqi demokracinë… Po! Ashtë e vërtetë se këto janë ditë të vështira, por demokracia europiane ashtë shansi ynë ma i mirë” Europa ashtë shtëpia jonë! Bashkimi Europian ashtë, simbas udhëheqësve shqiptarë, “…instrumenti i vetëm me modernizue dhe me rindërtue shtetet dhe institucionet”, deklaronte kryeministri Rama. Kush tjetër njeh ma mirë problemet tona, se ata që as ndërtuen shtetin, as institucionet tona, që akoma sot nuk funksionojnë? Por para se të hyjmë në Bashkimin Europian, duhet të edukojmë “europianët shqiptarë” me mendue e me veprue si europianët e Schuman-it në Europë. /Nga Sami REPISHTI/