Pas deklaratave të raportueses së PE-së në Shqipëri, Isabelle Santos se janë duke monitoruar paketën “Anti-KÇK”, ka reaguar ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani. Në një postim në Facebook, Manjani shkruan se nga Santos tek Knut Fleckenstein nuk ka asnjë ndryshim dhe nuk kanë për ta parë kurrë se si sundimi i ligjit tashmë është zëvendësuar me sundimin e bosit. Manjani thekson se kjo që po ndodh në Shqipëri nuk është normale dhe as vetë nga BE nuk është pranuar të implikohej në Kosovë e Maqedoni.
Reagimi i plotë:
Reporterja e parlamentit të BE Isabel Santos, thotë se : “….. po monitorojmë anti KÇK dhe se do ndërhyjmë nëse ka shkelje të të drejtave të njeriut…”
Pordhi kali n’der t’hanit- i thonë kësaj deklarate.
Nëse ende nuk e kanë parë dh.u.nimin flagrant të Kushtetutës, kur qeveria doli mbi parlamentin e nxorri një akt normativ; kur, po me të njëjtin akt anashkaluan parimet e procesit të rregullt ligjor; dhe nxorën jashtë funksioni vendimet e mëparshme gjyqsore, nuk kanë për ta parë kurrë se si sundimi i ligjit tashmë është zëvendësuar me sundimin e Bosit!
Siç nuk panë ka.n.abisin xhanëm…! Unë nuk kam asnjë problem nëse e thonë troç se në Shqipëri na pëlqen të sundojë Bosi dhe jo ligji, por ta thonë!
Ta thonë e të mbledhim mendjen! Por jo të na bëjnë për budallenj. Jo deri këtu! Në cilin vend të Europës ndodh kjo që në Shqipëri u duket normale?! As në Kosove e Maqedoni nuk u pranua nga vetë BE, përvoja Shqiptare!
Shumë turp! Nga Knuti te Isabela asnjë ndryshim..! Duket qartë se pilafi qyl me fruta deti është i mirë këtej nga ne…