Si rezultat i kontrolleve dhe i patrullimeve, të kryera në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të prerjes së kundërligjshme të drurëve për zjarr, në mënyrë të organizuar nga disa shtetas, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVP Shkodër finalizuan operacionin policor të koduar “Vëllimi”.
Në kuadër të këtij operacioni u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit G. L., 53 vjeç, G. M., 59 vjeç , P. N., 45 vjeç, R. L., 54 vjeç , Sh. M., 67 vjeç, Gj. B., 36 vjeç dhe M. B., 29 vjeç.
Të 7 këta shtetas, nëpërmjet një subjekti ekonomik të paregjistruar, në administrimin nga shtetasi G. L., pritnin dru për zjarr, nga sipërfaqet pyjore të fshatit Maranaj, në mënyrë të kundërligjshme, dhe i transportonin ata, me 3 kamionë.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasin R. H., 53 vjeç, inspektor i pyjeve të fshatit Maranaj.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 kamionë dhe 23 m3 dru për zjarr.
Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.