Zëdhënësi i Presidentit Meta, Tedi Blushi duke e cilësuar si të “çmendurën E…”- ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, thotë se askush tjetër nuk mund të ketë guxim të mbrojë Profetin e Kokoshkave.
“Të dashur kolegë, gazetari Blendi Fevziu nuk ka asnjë faj që fton në studio të Çmendurën E. E kush tjetër mund të jetë aq i marrë sa të ketë guximin për të mbrojtur në publik Profetin e Kokoshkave”- shkruan zëdhënësi në rrjetet sociale.
Pas këtij statusi, Spiropali tha se një gjuhë e tillë e përdorur tregon mungesë argumenti. Ajo thotë se Presidenti e përdor zëdhënësin si një fshikullues Facebook-u për kundërshtarin.
“Mos vini shenjë barazie dhe mos krijoni simetri mes nesh. Ja kush janë. Ata janë! Ajo deklaratë është përfaqësimi më i turpshëm i Presidentit, i cili përdor një zëdhënës si një fshikullues Facebook-u për kundërshtarin. Ajo gjuhë e drejtuar ndaj një politikani, një gruaje, kryeministrit dhe kujtdo që u del përballë, tregon dëshpërimin e tyre. Bëni dallimin! Presidenti na quan regjim, tiranë, kriminelë.
Ne respektojmë institucionet dhe do mbrojmë Shqipërinë dhe shqiptarët nga një çetë e tillë që përdor këtë gjuhë për të shkatërruar themelet…por duhet edhe ju të mbani qëndrim kur përdoret një gjuhë e tillë nga ana e Presidentit. Tregon dëshpërim në mungesë të argumentit. Shqiptarët do të ndahen nga kjo lloj gjuhe në zgjedhjet e 25 prillit”- tha në “Opinion” Spiropali.