Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në datën 19 korrik 2021, ka administruar propozimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, për emërimin e zotit Artur Kalaja, si anëtari më i ri në Gjykatën së Lartë, i cili është përzgjedhur për t`u emëruar përmes procedurave të ngritjes në detyrë nga radhët e gjyqësorit.
Presidenti Meta, pasi shqyrtoi vendimmarrjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe propozimin e përcjell nga ky organ, së bashku me praktikën dokumentare të ngritjes në detyrë për në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, të shpallur për kandidim, që prej datës 26.2.2020, në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 136 të Kushtetutës, nenit 48, pika 11 dhe 13 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ka pranuar propozimin e KLGJ-së dhe sot përmes Dekretit nr. 13173, datë 26.7.2021, ka vendosur që:
• Zoti Artula KALAJA të emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë.
Me këtë emërim të ri, Gjykata e Lartë, nga sot bëhet me 8 (tetë) gjyqtarë, nga 19 anëtarë, që duhet të ketë, sipas vendimmarrjes së KLGJ-së.
Presidenti i Republikës, përsërit edhe një herë thirrjen ndaj KLGJ-së se, duhet të vijojë angazhimin me ritme të shpejta për procedurat për emërimet e tjera në Gjykatën e Lartë, duke vepruar me pavarësi, integritet, dhe transparencë, për plotësimin sa më shpejt të Gjykatës së Lartë me të gjithë trupën e nevojshme gjyqësore dhe për t’i ofruar njëkohësisht kësaj Gjykate mbështetjen e nevojshme.
Presidenti i Republikës, vlerëson të risjellë edhe njëherë në vëmendje të anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të gjithë institucioneve të tjera shtetërore të përfshira në këtë proces, se bërja sa më shpejt dhe plotësisht funksionale e Gjykatës së Lartë, por njëkohësisht dhe funksionimi me trupat e nevojshme gjyqësore të Gjykatave të Apelit, është me rëndësi jetike për vendin, lidhet direkt me procesin e integrimin Europian, stabilitetin e Shqipërisë, si dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. /Njoftim i Institucionit të Presiodentit të Republikës/