Vlerësimi me titull i Zija Vukaj nga Presidenti i Republikës, është një lajm i mirë. Fillimisht për intelektualin e shquar, Shkodrën, letërsinë, përkthimin, publicistikën, mediat. Është lajm i mirë edhe për një arsye tjetër, më të thjeshtë por mjaft të rëmdësishme.
Në këtë vend, akoma vlerësohen vlerat dhe bartësit e tyre, padiskutim njëri prej tyre, Zija Vukaj. Ata që e njohin Profesorin, siç e thërrasin përditë e më shumë në Shkodër, e dinë se titulli është i merituar, i vonuar dhe i vogël për tu vendosur në kllapa pas emrit të Zija Vukaj në faqe gazetash e revistash apo emisioneve televizive.
“Në vlerësim të meritave të tij intelektuale dhe mediatike në qytetin e Shkodrës si publicist, përkthyes dhe studiues, me një veprimtari shumëvjeçare në plotësimin e pluralitetit në opinionbërjen publike.
Me mirënjohje për kontributin e tij përmes realizimit të emisioneve mbi trashëgiminë, identitetin dhe vlerat e kulturës e historisë kombëtare, jo vetëm në nivel vendor e kombëtar, por edhe në diasporën shqiptare në botë”, lexohet në motivacionin që jo me shumë kujdes, është shtypur në Presidencë titulli “Naim Frashëri” për Zija Vukajn.
Personalisht, për aq sa vlen mendimi im, me këtë titull, Profesorit i kanë bërë nder. Titulli “Naim Frashëri” është më ngushtësisht profesional, nuk është preferuar aq shumë vitet e fundit dhe fatmirësisht, Zija Vukaj nuk futet në “thesin e madh” të Mjeshtrave, të paktën tani për tani…
E gëzofsh titullin presidencial Profesor! Është “i vogël dhe i vonuar”, por më mirë se asgjë. Aq më tepër që ti po e sheh, e shijon, ndoshta edhe me ndonjë kafe me miqtë. Të tjerë jo vetëm nuk e kanë marrë asnjë titull, nuk janë as “në listë” dhe jo pak janë në botën e pertejme pa asnjë lloj vlerësimi, sado të vogël. /Nga Blerti DELIJA/