Viktor Paloka është një emër i njohur në Shkodër dhe përtej saj. Prej shumë viteve ai ka spikatur si rapsod interpretues, autor tekstesh por edhe si organizator eventesh artistike. E gjithë kjo gamë e gjërë angazhimi, nuk mund të mos binte në sy edhe të autoriteteve më të larta shtetërore.
Ka qenë vetë Presidenti i Republikës Ilir Meta, ai që ka zyrtarizuar vlerësimin për Viktor Palokën, duke i akorduar titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”. Në një publikim në faqen e tij zyrtare në Facebook, presidenti Meta përcjell:
“Thelbësore për të ardhmen e kombit tonë është dashuria, mbrojtja dhe forcimi i familjes, Atdheut, trashëgimisë kulturore dhe traditave më të mira shqiptare.
Një kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim ka dhënë familja patriotike Paloka nga Vau i Dejës, e njohur për lëvrimin e folklorit, këngëve e rapsodive, që ka nxjerrë nga gjiri i saj, për pesë breza, mjaft artistë popullorë.
Viktor Paloka, rapsod interpretues dhe organizator artistik është padyshim një prej pinjollëve më të shquar të saj, krijues i qindra teksteve, i vlerësuar me çmime, trofe e diploma nderi, botues i disa librave dhe albumeve muzikore, i cili me pasion e përkushtim punon pa u lodhur për ruajtjen dhe përhapjen e trashëgimisë kulturore shqiptare përmes këngëve, valleve, instrumentave dhe kostumeve origjinale.
Në nderim të kontributit të gjatë e të çmuar për ruajtjen dhe pasurimin e trashëgimisë sonë kombëtare, si dhe të veprës së tij artistike, kisha kënaqësinë të vlerësoja sot z.Viktor Paloka me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’”, mbyll shënimin e tij Kryetari i Shtetit Shqiptar Meta.