Tre ditët e fundit që i paraprijnë votimit për primaret e PD- së në 56 bashki të vendit, janë karakterizuar nga një fushatë e kandidatëve me të gjitha mjetet në dispozicion. Është normale, teksa të gjithë kërkojnë të jenë fitues.
Megjithatë, në shkelje të “RREGULLORE MBI MODALITETET E PËRZGJEDHJES SË KANDIDATËVE PËR ZGJEDHJET E PUSHTETIT VENDOR“, miratuar nga Këshilli Kombëtar i PD- së me 26 shtator 2022, fushata ka vijuar përmes call centër dhe SMS- ve edhe ditën e heshtjes zgjedhore por edhe sot, ditën e votimit.
Siç kemi raportuar edhe më herët, në numrin e redaksisë së ShkodraWeb, përveç thirrjeve telefonike, ditën e sotme ka mbërritur edhe një SMS. Mesa duket, “beteja” më e fortë dhe me të gjitha mjetet, zhvillohet në Kamzë, ku njëri nga kandidatët, sot, para orës 6 të mëngjesit, është kujdesur të shpërndajë mesazhe për të kërkuar votën në primare.
Në tekstin e mesazhit shkruhet: “Të nderuar demokrat të Kamzës. Ju lutem gjeni pak kohë dhe ejani të votoni me 4 Dhjetor 2022 ora 8-18:00 Nëse zgjedhja Juaj do të jem unë,ju garantoj një fitore të sigurt me 14 Maj perballë rregjimit RamaRilindja. I juaji me respekt e mirnjohje…(emri i kandidatit)!”.
Duhet thënë, se nuk është i njëjti kandidat që pak orë më parë, shpërndante thirrje telefonike duke kërkuar votën, duke mos e “vrarë” mendjen nëse numri të cilit i drejtohej, ishte votues për primare në Kamzë ose jo.
Në pikat 6 dhe 7 të rregullores së cituar më sipër, kapitulli III. AKSESI I KANDIDATËVE NË PROCESIN E PRIMAREVE, përcaktohet qartë se: “6. Dita përpara datës së zhvillimit të primareve dhe data e caktuar për votimet, deri në orën e mbylljes së votimit, konsiderohet si periudhë e heshtjes zgjedhore.
7. Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medias, përfshirë rrjetet sociale të kandidatëve, si dhe zhvillimi i takimeve ose i veprimtarive të tjera zgjedhore të kandidatëve.”.
Sigurisht, shkelja e “rregullave të lojës” në këtë rast, është çeshtje e brendshme e vetë antarëve, simpatizantëve apo strukturave të PD- së që administrojnë primaret. Megjithatë, nëse do të dalim përtej kësaj “familje politike”, kur rregullat shkelen brenda saj, nuk ka shumë moral të kërkohet respektimi i tyre me 14 maj 2023, kur përballë atyre që shpallen sot fitues, do të jenë të tjerë, të një ngjyre tjetër partiake dhe me më shumë forcë e pushtet.
KOKOE e PD- së e ka të thjeshtë të veprojë nëse dëshiron. Ashtu siç kanë mbërritur të redaksinë e ShkodraWeb thirrje nga call center dhe SMS, kanë shkuar edhe tek persona të tjerë. Në shkelje të rregullores, minimalisht kandidatët që e kanë bërë, duhet të përjashtohen, nëse shpallen fitues. Nëse jo, votat e tyre duhet të shumëzohen me zero dhe fitues të shpallet një tjetër.