Falë bashkëpunimit të Interpol Tiranës, me homologët dhe me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, kapet një tjetër person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i dënuar për vrasje.
Si rezultat i shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Wiesbaden, Gjermani, është bërë e mundur kapja dhe arrestimi në Gjermani, me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë, i shtetasit Genc Tafilaj, 43 vjeç, banues në Shkodër.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi në maj të vitit 2021, Gjykata e Apelit Tiranë ka vendosur kthimin në burg të këtij shtetasi, për të vuajtur dënimin e mbetur prej 6 vitesh, për vrasje.
Shtetasi Genc Tafilaj është dënuar nga Gjykata e Lartë, në vitin 2002, me 25 vjet burgim dhe pasi ka vuajtur një pjesë të dënimit, Gjykata e Rrethit Krujë, në vitin 2017, ka vendosur ta lirojë me kusht.
Më datë 02.08.2000, në Shkodër, shtetasi Genc Tafilaj, në bashkëpunim me babain e tij, ka vrarë me armë zjarri Drejtorin e Drejtorisë së Policisë Shkodër të asaj kohe, Arben Zylyftari.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese, vijon punën për plotësimin e dokumentacionit, me qëllim ekstradimin e këtij shtetasi në Shqipëri, për të kryer pjesën e mbetur të dënimit. /Deklaratë për mediat e Interpol Tirana/