Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi thotë se deri tani nuk ka asnjë njoftim nga SPAK, për padinë që i bëri biznesmeni shkodran, Almiro Gurakuqi në lidhje me ankandin për shitjen e klubit të Vllaznisë.
Në një deklaratë për gazetarët, Ademi u shpreh se bashkia i ka afishuar të gjithë dokumentacionet e nevojshme, por sic shprehet ajo procedura e privatizimit është e vështirë.
“Unë deri më sot nuk kam asnjë njoftim apo kërkesë nga SPAK për ndonjë proces apo kërkesë lidhur me çështjen e privatizimit të klubit Vllaznia.
Bashkia Shkodër në krahasim me të gjitha procedurat e tjera që ka kryer më parë ka afishuar të gjithë dokumentacionin e plotë. Ky është një dokumentacion i vlefshëm për të gjithë. Procedura ligjore është sic duhet dhe ne do ta vazhdojmë deri në fund.
Procedura e privatizimit është një procedurë shumë e vështirë, sepse vetë procedura e ankandit është e vështirë. Ajo që ne kemi bërë është që ne e kemi ndjekur hap pas hapi. Ne po e eksplorojmë të parët, më pas për të tjerët do të jetë me e lehtë”, u shpreh Ademi.
Kujtojmë që dy javë më parë, biznesmeni shkodran Almiro Gurakuqi, i cili kandidoi për të blerë aksionet e klubit kuqeblu dhe për t’u bërë president, paditi në SPAK, kryetaren e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, për shpërdorim detyre.
Pas bëri ofertë për blerë klubin, Anëtarët e Njësisë së Ankandit vendosën ta skualifikojnë Gurakuqin për parregullsi në dokumente.
Biznesmeni nuk u ndal me kaq pasi vendosi të ankimonte këtë vendim te Komisioni i Konkurrencës dhe fitoi gjyqin me Bashkinë Shkodër duke qenë i rregullt me dokumentet. Gurakuqi e ka vijuar më tej “luftën” me kryetaren Ademi, teksa e ka paditur këtë të fundit në SPAK.