Libri është fryt i një pune shumëvjeçare të profesor Hamit Boriçit. Ai përmban profile njerëzore dhe profesionale të tridhjetë e shtatë personaliteteve të mëdha të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, të cilët shkëlqyen si një kostelacion yjesh në një kohë që qielli i Shqipërisë ishte i përmbytur nga një errësirë shekullore dhe kur në horizont nuk dukej asnjë shpresë. Ata rilindën kombin, e zgjuan nga gjumi letargjik dhe ngritën lart flamurin e shpresave tona për shtetin, lirinë dhe pavarësinë kombëtare.
Deviza e vetme e tyre ishte Atdheu. Veçmas njëri-tjetrit dhe herë-herë së toku, ata ranë në një mendje për ta bërë Shqipërinë në një kohë që ajo ekzistonte në ëndrrat dhe në dëshirat e tyre. Dhe kjo ishte një kryevepër që ata e bënë duke sakrifikuar gjithçka dhe, njëkohësisht, për të mbetur të përjetshëm në panteonin kombëtar.
Hamit Boriçi ka shkruar shumë libra për gazetarinë shqiptare që nga fillimet e deri më sot, duke qenë studiuesi më këmbëngulës dhe më skrupuloz në këtë fushë. Vepra e botuar nga ALSAR, “Publicistë të Rilindjes”, sjell për herë të parë anë të panjohura për rilindasit shqiptarë, të cilët renditen sipas rendit alfabetik, nga Abdyl Frashëri deri tek Zef Skiroi.
Kjo vepër përudh një tjetër dimension të panjohur të historisë së Shqipërisë dhe të historisë së shtypit shqiptar, i cili mbetet ende i pastudiuar sa duhet. Libri vjen si një referencë për të gjithë ata që do të kenë mençurinë, pasionin dhe vetëdijen për të vazhduar në këtë hulli të mendimit dhe për ta pasuruar këtë vepër të profesor Boriçit.