Në jetën e çdo njeriu, ka momente kur duhen marrë vendime të rëndësishme jo vetëm me impakt për veten por edhe përtej. Ky moment për Plarent Anamalin është 14 maj 2023, kur ai do ti kërkojë votën bashkëqytetarëve për ti përfaqësuar në Këshillin Bashkiak të Shkodrës.
Sigurisht, ky hap i rëndësishëm për Plarentin, nuk erdhi menjëherë. Para angazhimit të tij në politikëbërje, ai punoi shumë për të pajisur veten me dije dhe njohuri në sherbim të komunitetit. Pas diplomimit në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër në vitin 2000, Plarenti përfundoi studimet në Itali, në Universitetin “La Sapienza” në Romë, ndër më të mirët në Europë, duke marrë titullin universitar “Doktor në jurisprudencë”. Në vitin 2017, në të njëjtin institucion prestixhoz, në Departamentin e Shkencave Sociale dhe Ekonomike Plarenti mori gradën shkencore “PhD”, duke përmbyllur me sukses formimin e tij.
Paralelisht, ai ka përfunduar edhe shumë kualifikime, duke marrë titullin “Avokat”, “Ndërmjetës” dhe akreditimin “Përkthyes Zyrtar” i Gjuhës Italiane. Po ashtu, nga viti 2001 ai ka dhënë kontributin e tij si pedagog, mësues, specialist marketingu dhe nga viti 2012 e në vijim, si avokat.
Zotërues i disa gjuhëve të huaja, përdorues i mirë i teknologjisë dhe i programeve kompjuterike, 46- vjeçari Plarent Anamali është tashmë i gatshëm të përfaqësojë me dinjitet bashkëqytetarët e tij në Këshillin Bashkiak të Shkodrës.
Si përfaqësues i të djathtës, Plarenti pranoi ftesën e Partisë Lëvizja e Legalitetit, e cila e vendosi në listën e vet për Këshillin Bashkiak të Shkodrës. Është një vlerësim por edhe përgjegjësi e madhe për të. Me një rreth shumë të gjërë familjar, shoqëror por edhe të kolegëve të tij në Shkodër, Plarenti do të takojë e bashkëbisedojë me të gjithë shkodranët, pavarësisht bindjeve politike, në interesin më të mirë të përbashkët, zhvillimin e bashkisë dhe shtimin e mundësive ekonimike për të gjithë, veçanërisht për të rinjtë, duke kërkuar të frenojë largimet masive edhe nga Shkodra, ashtu si nga e gjithë Shqipëria këto 10 vitet e fundit.
Dijet e akumuluara në vite të tëra formimi, eksperienca e pandërprerë në disa pozicione të rëndësishme pune, janë një premisë e mirë, për një përfaqësim dinjitoz nga Plarent Anamali në Këshillin Bashkiak Shkodër, për të gjithë bashkëqytetarët. Mbështetja me votë për Plarentin dhe Partinë Lëvizja e Legalitetit, listën e të cilës kryeson, është mundësia më e mirë për të patur një “avokat” të të gjithë shkodranëve në “parlamentin” e Bashkisë Shkodër.