Ai është baba i 3 fëmijëve të moshës 5, 7 dhe 13 vjeç të gjithë të lindur në Angli ku shkoi në vitin 1999 si kosovar dhe kërkoi azil me emër fals. Bëhet fjalë për 46-vjeçarin Martin Kaza nga Lezha, i cili është dënuar në Shqipëri me 22 vite burg për vrasjen e dy vëllezërve Dod dhe Augustin Gjini më 7 Mars 1997 në Laç, të cilët dyshoheshin se i kishin vrarë vëllain.
Drejtësia shqiptare e kërkonte prej vitesh shqiptarin që kreu një vrasje të dyfishtë dhe plagosjen e një tjetër personi në vitin 1997.
Skuadra e Ekstradimeve në Scotland Yard, pas një kërkese nga Policia Shqiptare arrestoi në maj Martin Kazën, i cili fshihej në Londër me një identitet të rremë.
Martin Kaza së bashku me avokatin e tij tentuan të bllokonin ekstradimin drejt Shqipërisë por me sa duket Gjykata vendosi pro kërkesës së palës shqiptare dhe tashmë 46-vjeçari do të vuajë dënimin në Shqipëri.
Mediat britanike shkruanin në kohën e arrestimit se Kaza kishte punuar në restorante, lavazhe makinash dhe bënte punë në ndërtime. Ai është baba i tre fëmijëve, të gjithë të lindur në Angli.
VRASJA E VËLLAIT
Më datë 7 Janar të vitit 1994 qyteti i Rrëshenit u trondit nga vrasja e Shefit të Krimeve, Ndue Kaza. Ai u qëllua me armë zjarri në mes të qytetit nga Dod Gjini, i cili u largua nga vendngjarja. Shtypi i shkruar i kohës raportonte se vrasja ndodhi pasi Shefi i Krimeve ndërhyri për të shmangur përshkallëzimin e një konflikti mes dy grupeve rivale. Por 3 vite më vonë, pa arritur që autorët të arrestohen dhe familjet të pajtohen, në qytetin e Laçit vëllai i Komisarit mori hak, duke vrarë 2 vëllezërit Dod dhe Agustin Gjini. Gazetat raportonin se ngjarja ndodhi mesditën e 3 Korrikut të vitit 1997, ku sipas tyre, në atentat kishin marrë pjesë dy persona. Pas 4 vitesh, Gjykata e Kurbinit shpalli fajtor në mungesë për vrasjen e dyfishtë, Martin Kazën, duke e dënuar me 22 vite burg.