Mund të konsiderohet surprizë oferta e djeshme e “Joni 5” shpk në ankandin për shitjen e aksioneve të KF Vllaznia sh.a. Emiliano Zhupa, i datëlindjes 14 prill 1992, ofroi në fazën e parë një shumë të përafërt me 1.3 milion euro për marrjen e pronësisë së Vllaznisë. Dy kompanitë e tjera, të përfaqësuara nga Alban Xhaferi dhe Almiro Gurakuqi, në këtë fazë ofruan më pak se gjysmën e shumës së mësipërme.
Po kush është Emiliano Zhupa, cilat janë bizneset e tij zyrtare apo të deklaruara në QKB?
29 vjeçari është lindur në Tepelenë dhe jeton në zonën e Kombinatit në Tiranë. Kompania e tij “Joni 5” shpk është relativisht e re, e krijuar në vitin 2017, me një kapital fillestar 100.000 lekë. Objekti i veprimtarisë së kësaj kompanie, siç tregojnë dokumentet e siguruara nga ShkodraWeb, ka ardhur duke u zgjeruar nga viti në vit dhe sot, mund të thuhet se “Joni 5” shpk, mund të kryej praktikisht çdo lloj biznesi.
Lidhur me situatën financiare, kjo kompani mund të konsiderohet modeste. Ajo që vihet re, por është e vështirë të verifikohet përmes deklarimeve në QKB, është një kompleks në Vuno, Jalë, i quajtur “Soleil”, vlera monetare e të cilit nuk identifikohet. Ajo që konstatohet tjetër, është bashkëpunimi me një bankë të nivelit të dytë. Kompania “Joni 5” shpk ka marrë overdrafte dhe kredi afatgjata, duke lënë si barrë/kolateral pasuritë e luajtshme të kompanisë.
Janë të paktën tre raste të dokumentuara përmes dokumenteve që ka siguruar ShkodraWeb. Në fakt, nuk ka asgjë për tu habitur, pasi janë të shumta kompanitë që bashkëpunojmë me bankat për të zhvilluar biznesin e tyre. Por në rastin e pjesëmarrjes në ankandin e Vllaznisë, çeshtja është tjetër. Shuma 1.3 mln euro është mjaft e lartë dhe Njësia e Ankandit por edhe vetëm Emiliano Zhupa duhet të verifikojnë/tregojnë burimin.
Edhe nëse kjo shumë sigurohet në formë kredie nga një bankë e nivelit të dytë, duhet të bëhet kujdes sepse në mes është një legjendë me emrin Vllazni, e cila përveç vlerës monetare, ka edhe një vlerë të padikutueshme, mbi 100 vjeçare, shpirtërore dhe sportive.
Duke u rikthyer tek deklarimet e vetë kompanisë “Joni 5” shpk, konstatohet se nga 100.000 që ka qenë vlera e kapitalit në fillim, në vitin 2020 ajo është zmadhuar, duke i shtuar fitimin e deklaruar. Tashmë, kjo vlerë përllogaritet në rreth 22 mln lekë të vjetra. Pyetjet që me të drejtë ngrihet në këtë rast është: A e ka fuqinë financiare kjo kompani për të blerë aksionet e Vllaznisë, a është transparent burimi i vlerës 1.3 mln euro, po luan për vete apo është dikush/disa të tjerë pas kësaj kompanie? Përpara se të merret një vendim, Njësia e Ankandit, Bashkia e Shkodrës, duhet të bëjnë verifikimet e duhura. A mund të blejë mbi një shekull histori e lavdi sportive kjo kompnai?! /ShkodraWeb/