12 herë kampion i Shqipërisë. Përpara se të njihet si politik, deputet i Shkodrës, Paulin Sterkaj njihej para dhe pas vitit 1990 si mundësi kampion në peshën e tij. Ai e ka nisur sportin në moshën 6 vjeçare, duke mundur të gjithë bashkëmoshatarët por edhe më të rriturit në lagjen e tij. Për aktivitetin e tij sportiv, ai ka marrë edhe tituj të lartë si “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Nderi i sportit shqiptar”, “Nderi i sportit shkodran”. Presidenti Nishani i dha titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” në vitin 2017.
Po ashtu, Paulin Sterkaj ka punuar edhe si oficer i Ministrisë së Punëve të Brendshme, komandant i Repartit Special të Ndërhyrjes së Shpejtë, shef i Policisë në Lezhë, më pas në Dibër dhe komandant i Repartit “Brisku” në Tiranë.
Sigurisht, Sterkaj është më i njohur si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, ku është ulur për herë të parë me zgjedhjet e vitit 2005. Në futjen e tij në politikë, ai mundi në përballjen në sistem mazhoritar Pjetër Arbnorin në zonën e Malësisë së Madhe. Ishte viti kur PD do të rikthehej në pushtet dhe Sterkaj vetëm dy vite më pas, do të duhej të merrte një vendim të vështirë. Në vitin 2007, vendi do të shkonte në zgjedhje të parakohëshme nëse PD nuk do të bënte numrat e nevojshëm (84) për të zgjedhur presidentin. Sterkaj bashkë me disa kolegë të tjerë, do të bashkonte votat me PD- në për të zgjedhur Bamir Topin president të vendit. Kjo do të sillte largimin e tij nga PS-ja e drejtuar nga Edi Rama.
Në zgjedhjet e vitit 2009, Paulin Sterkaj do të kandidohej nga PD-ja, përsëri në Malësinë e Madhe. Dukej e vështirë që ai të rikonfirmohej deputet, në një vend jo shumë të sigurtë në listën proporcionale dhe duke kandiduar me një subjekt tjetër politik. Sterkaj ia doli të fitojë duke dhënë në provë të fortë se ai votohet më shumë si person se si subjekt politik.
Në vitin 2013 dhe më pas në 2017- ën, ai zgjidhet përsëri deputet duke shënuar një rekord si deputeti më jetëgjatë i Malësisë së Madhe në Kuvend pas vitit 1990.
Sfidë e rëndësishme për Sterkajn, ishin zgjedhjet e vitit 2015. Malësia e Madhe ishte e bashkuar tashmë në një bashki të vetme pas ndarjes administrative. Bashkë me Tonin Marinajn ata realizuan fitoren e zgjedhjeve vendore, duke arritur të përmbysin të gjitha parashikimet paraprake. Nga ky vit, duket se Sterkaj dhe Marinaj, kanë mundur të kthejnë vëmendjen e qeverisë, duke siguruar investime që nga Kopliku në Tamarë.
Sfida e radhës e Paulin Sterkaj, tashmë 60 vjeçar, është mandati i pestë radhazi si deputet i M.Madhe. Sivjet duket më e lehtë për të. Në krah ka kryebashkiakun Tonin Marinaj por është i renditur edhe i dyti në listën e qarkut të Shkodrës. Por sivjet, Sterkaj ka mundësi të tregojë forcën e tij, duke kërkuar edhe votë parapëlqyese, pse jo për tu ngjitur i pari në listën e depozituar nga PS- ja në KQZ. /ShkodraWeb Media/