Rreth një vit më parë emisioni investigativ “Piranjat” njoftoi largimin nga ABCNews, aty ku ai nisi rrugëtimin. Ndryshimi i pronarëve të atij televizioni, solli shumë ndryshime, mes të cilave kufizime apo censurë që natyrshëm, “Piranjat” nuk mund ta pranonin. Përndryshe, nuk mund të konsiderohej më emision investigativ.
Pikërisht sot, “Piranjat” festojnë 2- vjetorin e nisjes së rrugëtimit të tyre, i cili me gjasë, do të jetë i gjatë, pse jo, sa “Le Iene”, nga ku ideatori dhe autori Taulant Kopliku, mori edhe idenë, pasi kishte qenë vetë pjesë e redaksisë së njohur në kanalet e Mediaset në Itali.
Në pak kohë, “Piranjat” krijuan një audiencë mjaft të lartë, duke qenë kryefjalë e mediave të tjera dhe portaleve përmes kamerave të fshehta dhe investigimeve profesionale. Përmes investigimeve të thella, akumulimit të provave dhe fakteve, dëshmive e dëshmitarëve, në pak muaj janë kthyer në programin televiziv më të ndjekur, tashmë në një dritare tjetër mediatike si Syri TV.
“Piranjat” godasin, godasin fort fenomene negative, bartës të tyre por edhe hetojnë me instrumente gazetareske, duke nxjerrë të verteta që nuk është e lehtë të evidentohen. Më shumë se emision, duket se është mision, për të dhënë shembullin e gazetarisë investigative në Shqipëri.
Gëzuar 2- vjetorin “Piranja”! Vazhdoni të “kafshoni”, pa mëshirë, në ujë, në ajër e në tokë të thatë! Ky vend ka nevojë për të verteta dhe ju jeni ndër të paktat mundësi që të evidentohen për publikun!