Projekt-vendimi i Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e agjentit të autorizuar për mbledhjen e taksës së ndërtesës, masën e përfitimit nga mbledhja e taksës për agjentin e autorizuar si dhe përcaktimin për mënyrën e pagesës së taksës së ndërtesës” është në kundërshtim të hapur me nenin 2, 4, 9 dhe 22 të ligjit nr 139 /2015 “Për vetëqeverisjen vendore”.
Në ligjin 139 /2015 “Për vetëqeverisjen vendore”. përcaktohet në:
Neni 2 Përkufizime
- “Administrimi” është e drejta për të planifikuar, financuar dhe organizuar ushtrimin e një funksioni.
- “Autonomi vendore” është e drejta dhe aftesia e njësive të vetëqeverisjes vendore, te krijuara sipas Kushtetutës dhe ketij ligji dhe ne kuader te kufizimeve te tij, qe te rregullojne dhe te administrojnë një pjesë thelbësore te çështjeve publike nen përgjegjesine e tyre dhe ne interes të bashkësisë.
Neni 4 Parimet themelore të vetëqeverisjes vendore
- Organet e njësive të vetëqeverisjes vendore veprojnë në bazë të parimit të autonomisë vendore.
Neni 9 Të drejtat dhe përgjegjësitë
1.3. Të drejtën dhe përgjegjësinë e mbledhjes së të ardhurave dhe bërjes së shpenzimeve, sipas së cilës:
- a) krijojnë, mbledhin të ardhura dhe bëjnë shpenzime për përmbushjen e funksioneve të tyre;
b)vendosin taksa vendore e tarifa për shërbimet, si dhe nivelin e tyre, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
Neni 22 Parimet për ushtrimin e funksioneve
- Njësitë e vetëqeverisjes vendore rregullojnë dhe administrojnë ushtrimin e funksioneve të veta në mënyrë të plotë dhe të pavarur, në përputhje me Kushtetutën, Kartën Europiane të Autonomisë Vendore dhe ligjet në fuqi.
- Sipas nenit 5, shkronja ii) të ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore” i ndryshuar, është e drejta e bashkisë të përcaktojë mënyrën e mbledhjes së taksës, përfshirë zgjedhjen e agjentit fiskal dhe detyrimet e ndërsjellta. Më konkretisht kjo përcaktohet në ligj si më poshtë:
Neni 5 Rregulla të përbashkëta për taksat vendore
Me përjashtim të te rasteve kur në këtë ligj përcaktohet shprehimisht ndryshe, bashkia përcakton:
ii)mënyrën e mbledhjes së taksës, përfshirë zgjedhjen e agjentit fiskal dhe detyrimet e ndërsjellta;
Në përputhje me dy ligjet e mësipërme, Bashkia Shkodër ka miratuar me Vendim të Këshillit Bashkiak nr. 1, datë 22.01.2016 “Për miratimin e taksave dhe tarifave në Bashkinë Shkodër” të ndryshuar, agjentin tatimor për mbledhjen e taksave dhe tarifave vendore familjare.
Reforma kombëtare në sektorin e ujësjellës – kanalizimeve dhe riorganizimit të shërbimeve te furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, në mbështetje të reformës administrative-territoriale sipas Ligjit Nr. 115/2014, “Për ndarjen administrative-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë” dhe VKM Nr. 63, date 27.01.2016 “Për riorganizimin e operatorëve që ofrojnë shërbimin e furnizimit me ujë te pijshëm, grumbullimin, largimin dhe trajtimin e ujërave të ndotura”, bëri që shoqëria e Ujësjellës Kanalizimeve Shkodër sh.a, të ketë një shtrirje të plotë territoriale, sistem elektronik të bazës së të dhënave të gjenerimit të detyrimeve dhe plotëson më së miri të gjitha kërkesat e bashkisë.
Për këto arsye, me Vendim të Këshillit bashkiak është vendosur:
“Detyrimi për familjarët shlyhet në bazë mujore si pjesë përbërëse e faturës së shërbimit të furnizimit me ujë nga Ndërmarrja Ujësjellës Kanalizime Sh.A. Shkodër, në cilësinë e agjentit tatimor. Për shërbimin, agjenti përfiton përkatësisht 2% (dy përqind) të shumës së arkëtuar.”
- Edhe masa e përfitimit si agjent tatimor ka një diferencë të ndjeshme nga 2%, që Bashkia Shkodër ka të miratuar, në 4%, që propozohet ne draft projektvendim. Përcaktimi i përqindjes është një tagër i Këshillit të Bashkisë. Vendosja në projekt – vendim e masës së përqindjes, gjithashtu, është një shkelje e përgjegjës dhe të drejtës së Këshillave Bashkiak. Për Bashkinë Shkodër komisioni i rritur nga 2% në 4% për agjentin tatimor përbën edhe një reduktim të të ardhurave vendore me 2% më pak për të ardhurat nga taksa e ndërtesës.
- Duke kthyer kokën pas, në vite, eksperienca të tilla, ku institucione të qeverisjes qendrore, kanë ushtruar funksionin e agjentit tatimor me vendim të këshillit të minsitrave për Bashkinë, ka sjellë anarshi, reduktim të të ardhurave vendore, pasaktësi në llogaritjen dhe mbledhjen selektive të të ardhurave nga taksapaguesit. Një ndër eksperiencat më problematike është funksionimi i Drejtorise Rajonale Tatimore si agjent tatimor për bashkitë për mbledhjen e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin të biznesit të vogël. Bashkisë Shkodër menjëherë iu reduktuan të ardhurat. Sistemi u fut në një anarshi kur bëhej fjalë qoftë për llogaritjen, mbledhjen dhe rakordimin e të ardhurave të mbledhura.
Bashkia Shkodër nuk ka akses kontrolli mbi sistemet e përdorura nga institucionet në varësi qendrore dhe kjo bën që shpesh këto institucione të mos deklarojnë me transparencë të plotë të ardhurat e mbledhura, e për rrjedhojë të derdhin “aq para sa ta gjykojne te arsyeshme “ në llogaritë përkatëse të të ardhurave të Bashkise.
- Në lidhje me detyrimet e biznesit, Bashkia Shkodër ka të miratuar me VKB nr. 1, datë 22.01.2016 “Për miratimin e taksave dhe tarifave në Bashkinë Shkodër” të ndryshuar, mënyrën e organizimit dhe mbledhjes së detyrimeve të biznesit.
Në këtë Vendim të këshillit Bashkiak përaktohet:
“Detyrimi për biznesin llogaritet nga Drejtoria e të Ardhurave dhe shlyhet pranë çdo banke të nivelit të dytë, brenda datës 30 qershor të vitit fiskal”.
Bashkia ka të instaluar dhe funksional në të gjithë territorin, përfshirë edhe Njësitë Administrative, Sistemin e Integruar të Taksave dhe Tarifave Vendore (SiTTV), sistem informatik i integruar, i testuar dhe përshtatur për mbledhjen e taksave dhe tarifave vendore, i aksesueshëm përmes disa kanalesh, pajisjesh dhe formash të komunikimit elektronik. Të gjitha të dhënat për biznesin janë të regjistruara dhe përditësohen vazhdimisht sipas azhornimeve të përditshme si nga të dhënat e QKB-së, ashtu dhe nga inspektimet në terren.
Kalimi i një takse të vetme për arkëtim, pranë një agjenti tatimor, do të sillte një çorientim dhe sorollatje për biznesin, i cili e ka praktikë pune disa vjeçare pagesën e taksave dhe tarifave vendore sipas paketës fiskale të bashkisë.
- Sistemi i Integruar të Taksave dhe Tarifave Vendore (SiTTV), me të cilin operon bashkia Shkodër, është i lidhur edhe me sistemin e Ujësjellës Kanalizimeve Shkodër sh.a dhe me Sistemin e Integruar i Zyrës me Një Ndalesë i përmirësuar në Bashkinë Qendër dhe 15 Njësi Administrative (Dajç dhe Velipojë, Anë të Malit, Bërdicë, Guri Zi, Postrribë, Rrethina, Shalë, Pult, Shosh dhe 5 Lagje). Çdo e dhënë, që regjistrohet në të dy sistemet, verifikohet menjëherë nga të gjithë punonjësit, që operojnë pranë Zyrave me një ndalesë, ku i jepet shërbimi të gjithë banorëve të bashkisë në të gjithë territorin ku ndodhen.
Për të gjitha arsyet e shënuara më sipër, ky projekt vendim, është krejtesisht i pabazuar në ligj, cënon autonominë vendore dhe nuk i shërben mbledhjes së taksave të njësive të vetqeverisjes vendore.
Shënim: Qendrimi mbi projekt-vendimin u është dërguar:
MINISTRISË SË FINANCAVE DHE EKONOMISË
DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË TAKSËS SË PASURISË, TIRANE
dhe për dijeni:
SHOQATËS SË BASHKIVE TË SHQIPËRISË
ANËTARËVE TË KËSHILLIT KONSULTATIV
AGJENSISË PËR MBESHTETJEN E VETQEVERISJES VENDORE /Marrë nga faqja zyrtare në Facebook Voltana Ademi, kryetare e Bashkisë Shkodrë/